Përfundon tërheqja e pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës, mbi 33 mijë pako mbërrijnë për numërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime për votimin jashtë Kosovës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Tërheqja është bërë nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, si dhe nga kutitë postare të institucionit në 22 shtete të ndryshme.
Sipas të dhënave të evidentuara, janë tërhequr 33,841 pako me fletëvotime, të cilat pas mbërritjes në Kosovë do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Gjatë periudhës së regjistrimit, 43,933 shtetas ishin të regjistruar për të votuar jashtë vendit. Votimi përmes postës kishte filluar më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor 2025.
Ky proces siguron që votat e diasporës të përfshihen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale.


















































