Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se kanë përfunduar punimet për stabilizimin e një rrëshqitjeje të dheut në rrugën rajonale R104, në segmentin Klinë–Gurrakoc.

Basha, përmes një postimi në Facebook, tha se rrëshqitja kishte paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, ndërsa procedurat për sanimin e saj, sipas tij, janë iniciuar menjëherë nga Ministria.


“Mirëmëngjesi nga Krusheva e Vogël, ku sot përfundoi stabilizimi i rrëshqitjes në rrugën tonë rajonale R104 Klinë–Gurrakoc”, ka shkruar Basha.

Ai tha se punimet për rehabilitimin e këtij segmenti kanë përfunduar brenda dy muajve.

“Kjo rrëshqitje e dheut shkaktoi rrezik për ngasësit dhe si ministri menjëherë kemi inicuar procedurat për sanim. Sot isha në terren për të parë përfundimin e këtij rehabilitimi”, ka deklaruar ministri në detyrë.

Sipas Bashës, pas përfundimit të punimeve, segmenti është stabilizuar dhe është i sigurt për qarkullim.

“Punimet përfunduan brenda dy muajve dhe sot ky segment është stabilizuar plotësisht dhe tani është i sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, ka thënë ai.

Basha ka theksuar se Ministria do të vazhdojë me investime në infrastrukturën rrugore.

“Vazhdojmë me punë konkrete dhe investime që sjellin rrugë më të sigurta për qytetarët tanë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/