Përfundon rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 2,557 vendvotimeve, në të cilat, më 28 dhjetor 2025 u zhvillua procesi i votimit.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ në hapësirën QNR > Rinumërim, janë paraqitur rezultatet pas rinumërimit.
Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshinë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.
Kujtojmë se KQZ-ja mori këto vendime për rinumërim me qëllim të të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.
Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.
Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.
Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.
Pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.
Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim./Telegrafi/





















































