Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi është intervistuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale, në kuadër të hetimeve për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.

Intervistimi i cili ka zgjatur rreth dy orë, tashmë ka përfunduar. Pas daljes nga objekti i Prokurorisë, Bislimi nuk ka bërë asnjë koment për mediat, ndërsa avokati i tij deklaroi shkurt se "intervistimi ka shkuar mirë".


Emri i Bislimit është përmendur në këtë rast nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, në kontekstin e funksionalizimit të impiantit për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Në fund të majit, Prokuroria Speciale kishte urdhëruar bastisje në katër lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj, nën dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, ishte intervistuar edhe ministri Peci në cilësinë e të dyshuarit, si dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha./Telegrafi/