Mbledhja e sotme, si dhe disa të fundit në rreth 3 muajt e kaluar, filloi me gaz lotsjellës të cilin e hodhën deputetë të opozitës, fillimisht në sallën plenare, e më vonë edhe në foajenë e Kuvendit, ku gjendeshin pjesëtarët e sigurimit dhe gazetarët që përcjellin punën e Kuvendit, raporton kp.

Pas kësaj Kryesia e Kuvendit mori vendim për përjashtim të shumicës së deputetëve opozitarë nga mbledhja e sotme, pas çka deputetët e shumicës parlamentare u mblodhën në sallën plenare dhe pa praninë e opozitës mbajtën seancën në të cilën i kaluan 35 pikat, pothuajse të gjitha me vendime unanime.


Ndërkohë, në arrest përfunduan edhe tre deputetë opozitarë – Fisnik Ismajli, te i cili sigurimi gjeti dy bombola me gaz lotsjellës gjatë tentimit për të hyrë në sallën plenare, dhe Haxhi Shala e Ismail Kurteshi, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.

Përndryshe, debati më i madh u zh villua rreth njërës prej pikave të fundit të rendit të ditës –për kërkesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit “Adem Jashari” në kryeqendër. Në fund u vendos që të formohet një komision prej deputetëve që do të bisedojë me komunën rreth procedurave për realizimin e projektit.

Duke e përmbyllur mbledhjen e sotme maratonike, kryeparlamentari Kadri Veseli e përsëriti thirrjen për deputetët opozitarë.

“Opozita të vijë në Kuvend! Këtu e ka vendin”, tha Veseli.

Ja dhe pikat e rendit të ditës që u gjendën para deputetëve në mbledhjen e sotme:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut,

5. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës",

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë fetare në Kosovë,

12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mjekësinë Ligjore,

14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për patentë shofer,

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës,

16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik,

17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për letërnjoftimin,

18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sigurimet,

19. Zgjedhja e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

20. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

21. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

22. Emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës,

23. Emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas,

24. Shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës,

25. Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014,

26. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015,

27. Shqyrtimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për personat e verbër,

28. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014,

29. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014,

30. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performansës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014,

31. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014,

32. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me pozitën aktuale të prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit,

33. Kërkesa e kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit "Adem Jashari" në Prishtinë,

34. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës,

35. Propozimi i GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.