LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësues të SASHK në takim me Ministren Carovska

Përfaqësues të SASHK në takim me Ministren Carovska

Ministresha për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska sot pranoi në takim pune përfaqësues të SASHK, me të cilët temë kryesore diskutimi ka qenë punën në dy ndërrime të çerdheve për fëmijë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç njoftuan nga MPPS-ja, ministresha Carovska ka informuar kryetarin e SASHk-ut, Joakim Nedellkov se do të vazhdojë harmonizimi i koeficientëve të pagave për punonjësit në çerdhe, si dhe në pajtim me nenin 1 të Vendimit për konfirmim të orarit të punës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ministritë dhe organet tjera shtetërore, MPPS ka dërguar shkresë deri te çerdhet për fëmijë me të cilën i informon për nevojën e punës me dy ndërrime.


“Puna me dy ndërrime nënkupton se fëmijët edhe më tej do të jenë në çerdhe si deri më tani, pra nga ora 5:30 në mëngjes deri në ora 21:30 – në pajtim me vendimin e ri. Kjo ishte e nevojshme pasi që institucionet do të fillojnë me orarin e ri të punës me dy ndërrime, me çka imponohet nevoja për sigurim të kushteve për përkujdesje të fëmijëve që punojnë me dy ndërrime’, thuhet në kumtesën e Ministrisë për punë dhe politikë sociale.

MPPS-ja tregon se fëmijët do të kenë përkujdesje gjatë tërë ditës, varësisht prej nevojës së prindërve të tyre dhe se tanimë 4 çerdhe janë duke punuar me dy ndërrime ndërsa 6 të tjera kanë shfaqur interesim për adaptim të orarit të ri me dy ndërrime, gjegjësisht e kanë konfirmuar nevojën për vendosjen e këtij orari./Telegrafi/