Përballë zgjedhjes mes vetes dhe jetës së të tjerëve, Netanyahu gjithmonë zgjedh veten

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
A do të zgjasë përgjithmonë lufta në Gazë? Nuk është kjo një pyetje krejtësisht retorike. Ka ditë të tëra që kam frikë se vdekja dhe shkatërrimi që kanë vazhduar për 650 ditë, nuk do të ndalen kurrë, dhe se do të kthehen në një luftë të vazhdueshme, me intensitet të ulët, brenda konfliktit më të gjerë izraelito-palestinez - një luftë brenda luftës - që do të shndërrohet në një zhurmë të përhershme në sfondin e punëve botërore, ashtu siç zgjatën trazirat në Irlandën e Veriut për 30 vjet. Në këtë makth, ndër të tjera, shoh Benjamin Netanyahun, i cili me disa pauza ka qenë në karrigen e kryeministrit të Izraelit për gati 18 vjet, duke qëndruar atje edhe për 18 vjet të tjera dhe duke e qeverisur vendin deri sa të mbushë 100 vjet.
Izraelitët nuk duan që të ndodhë asnjëra nga këto. Sondazhet tregojnë se vetëm një pakicë i beson Netanyahut, ndërsa një shumicë dërrmuese - rreth 74 për qind - duan që kjo luftë e tmerrshme të marrë fund. Siç e tha së fundmi lideri i njërës prej partive ultra-ortodokse (Haredi), i cili u largua këtë javë nga koalicioni qeveritar i Netanyahut për shkak të dështimit të qeverisë për të miratuar një ligj që përjashton përfundimisht të rinjtë haredi nga shërbimi ushtarak: “Nuk e kuptoj për çfarë po luftojmë atje ... Nuk e kuptoj pse është e nevojshme”.
Nëse edhe partnerët e mëparshëm të Netanyahut në qeveri nuk arrijnë të shohin ndonjë përfitim nga kjo luftë, kostoja e saj është e dukshme për të gjithë botën që vështron. Çdo ditë sjell lajme për edhe 10, 20 apo 30 palestinezë të vrarë në Gazë, shpeshherë teksa presin në radhë për ushqim apo ujë të domosdoshëm. OKB-ja vlerëson se për rreth gjashtë javë janë vrarë rreth 800 njerëz në ose pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit, shumica në afërsi të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) - sipërmarrje e përbashkët ShBA-Izrael, e krijuar pasi Izraeli vendosi se nuk mund t’i besonte OKB-së se ndihma nuk do të bie në duart e Hamasit. Por, bilanci i këtij fondacioni ka qenë histori kaosi dhe gjakderdhjeje. Edhe mbrojtësit më të palëkundur të Izraelit nuk pretendojnë se ata që u vranë në këto incidente ishin luftëtarë të Hamasit apo përbënin ndonjë kërcënim ushtarak. Janë vdekje krejt të panevojshme të civilëve të pafajshëm, ditë pas dite.
Brenda Izraelit, një luftë pa fund do të thotë edhe më shumë ushtarë izraelitë të vrarë - dhe, kujtoni, pothuajse çdo 18-vjeçar (jo-haredi) hebre, druzi apo çerkez është rekrut - si edhe një tjetër ditë e kaluar në errësirë për 20 izraelitët ende të gjallë që besohet se mbahen peng nga Hamasi dhe aleatët e tij në Gazë. Kjo është arsyeja se pse tre nga katër izraelitë duan që kjo luftë të marrë fund menjëherë.
Atëherë, pse nuk përfundon? Disa besojnë se në ditët në vijim mund të ketë lëvizje drejt një armëpushimi dhe marrëveshjeje për lirim të pengjeve, me një zyrtar amerikan që thotë se është "më pranë se kurrë ". Nëse kjo është e vërtetë, një faktor që ka ndikuar meriton të përmendet.
Java e ardhshme shënon përfundimin e sesionit aktual të parlamentit izraelit, me Knesetin që do të hyjë në pushim deri në tetor. Gjatë tre muajve, është më e vështirë, në aspektin e procedurave, të rrëzohet qeveria izraelite. Kështu që Netanyahu do të jetë më pak i ndjeshëm ndaj presionit të ultranacionalistëve Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, të cilët prej kohësh kanë kërcënuar se do ta lënë koalicionin nëse ai bën një marrëveshje që i jep fund luftës. Prandaj, ka spekulime për një lëvizje të afërt.
Në themel të kësaj qëndron supozimi se Netanyahu deri më tani ka preferuar që pengjet të mbeten në burgje dhe që civilët palestinezë të vazhdojnë të vdesin, e jo të rrezikojë pushtetin e vet. Me fjalë të tjera, nëse marrëveshja arrihet së shpejti, ajo do të jetë marrëveshje që mund të arrihej më herët - por, që u vonua për ta mbajtur Netanyahun në karrigen e kryeministrit.
Besimi për t’i atribuuar Netanyahut motive kaq të pamoralshme dhe egoiste forcohet nga hetimi gjithëpërfshirës i New York Times-it mbi 21 muajt e fundit e që, me prova të forta, konfirmon atë që shumica e analistëve kanë dyshuar prej kohësh: se “Netanyahu e ka zgjatur luftën në Gazë për të mbetur në pushtet”.
Gazeta përqendrohet te disa momente kyçe, kur një armëpushim ishte brenda mundësive, kur edhe komandantët ushtarakë izraelitë po e kërkonin atë, por Netanyahu zgjodhi të tërhiqej nga frika se Ben-Gviri dhe Smotrichi do ta rrëzonin qeverinë e tij. Pa pushtet, Netanyahu do të humbte një pjesë të madhe të mbrojtjes kur gjykohet për akuza korrupsioni. Ashtu si homologu i tij nacionalist dhe aspirant autokrat, Donald Trump, Netanyahu ka një frikë të madhe nga burgu.
Kështu, në prill 2024, Netanyahu ishte gati t’i paraqiste kabinetit të tij një propozim për një ndërprerje gjashtëjavore të luftës. Ai do të sillte lirimin e më shumë se 30 pengjeve dhe fillimin e negociatave për një armëpushim të përhershëm. Plani ishte shkruar dhe gati për zbatim. Por, sipas procesverbalit të mbledhjes së kabinetit të cilin e ka siguruar gazeta, në minutat e fundit Smotrichi - i cili, si Ben-Gvir dëshiron që Izraeli ta pushtojë Gazën dhe të rindërtojë vendbanimet hebraike atje - paralajmëroi se nëse Netanyahu do të nënshkruajë atë që ai e quajti "dorëzim", qeveria do të përfundonte. Propozimi u la mënjanë në heshtje dhe lufta vazhdoi.
Në atë pikë, numri i të vdekurve në Gazë ishte 35 mijë. Sot vlerësohet të jetë 58 mijë. Sigurisht, është e mundur që marrëveshja të kishte dështuar edhe më prill 2024, se Hamasi mund të kishte thënë jo, apo se armëpushimi nuk do të zgjaste. Por, kishte një mundësi - dhe ishte të paktën e mundshme që 23 mijë jetë të shpëtonin.
Kjo nuk ishte mundësia e fundit. Në korrik të vitit të kaluar, ndërmjetësit ndërkombëtarë u mblodhën në Romë duke besuar se më në fund ishin përmbushur kushtet për një armëpushim. Por, sipas New York Times-it, Netanyahu papritur shtoi gjashtë kërkesa të reja, të cilat shkatërruan çdo shans për marrëveshje. Më herët, Ben-Gviri kishte hyrë me vrull në zyrën e kryeministrit, duke e paralajmëruar të mos bënte "marrëveshje të pamatur". Edhe një herë tjetër, Netanyahu vuri mbijetesën politike përpara jetës së pengjeve izraelitë dhe civilëve palestinezë.
Mund të mendosh se kjo ecuri do të mjaftonte për ta bërë Netanyahun të refuzuar nga elektorati izraelit: provat kundër tij janë të shumta. Por, ai do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme, që mund të mbahen brenda gjashtë muajsh, si njeriu që i ka mposhtur armiqtë më të fuqishëm të Izraelit. Hezbollahu nuk përbën më kërcënim nga Veriu; Bashar al-Assadi është larguar; dhe Irani është poshtëruar, mbrojtja ajrore e tij është shkatërruar, ndërsa ambiciet e tij bërthamore janë dërrmuar. Hamasi ende ekziston, por Izraeli nuk është më i rrethuar nga një “unazë zjarri” e formësuar nga Teherani. Netanyahu thotë se të gjitha këto suksese janë merita e tij, ndërsa dështimet që çuan në masakrat e Hamasit më 7 tetor 2023 janë faji i të tjerëve. Si strategji zgjedhore, kjo mund të funksionojë.
Këtë javë , fola me gazetaren e nderuar izraelite Ilana Dayan, për podkastin Unholy. Ajo përshkroi se si izraelitët janë bllokuar gjatë te 7 tetori, por tani “për ne më në fund ka aguar edhe 8 tetori. Më në fund mund të pyesim, dhe duhet të pyesim, pyetjet e vështira lidhur me udhëheqësinë tonë, lidhur me tragjedinë në Gazë, lidhur me këtë luftë pa fund. Historia do të gjykojë udhëheqësinë, por do të na gjykojë edhe neve”.
Izraelitët me të vërtetë do të përballen me një kujtesë të rëndë për shkatërrimin që kanë shkaktuar në Gazë. Por, i pari që duhet të gjykohet është Benjamin Netanyahu - njeriu që kishte në duar fuqinë për jetë a vdekje dhe zgjodhi vdekjen e të tjerëve, vetëm që karriera e tij politike të mbijetonte. Ai duhet të ketë turp për këtë, deri në frymën e tij të fundit. /Telegrafi/













































