LAJMI I FUNDIT:

Për vitin 2017 s’ka mjete për rritje të pagave

Për vitin 2017 s’ka mjete për rritje të pagave

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se në buxhetin e vitit 2017 nuk ka mjete të planifikuara për rritjen e pagave në asnjë sektor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e Re”, Hadërgjonaj ka bërë me dije se për vitin 2018 është e përcaktuar me ligj që rritja e pagave nuk duhet ta tejkalojë normën e rritjes vjetore nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV). Ajo ka theksuar se nuk duhet të kënaqemi me një rritje ekonomike mesatare afër 4 % gjatë viteve të fundit. Sipas Hadërgjonajt, një rritje e tillë nuk jep efekte për zhvillimin ekonomik dhe për uljen e papunësisë.


“Kryeministri në vazhdimësi ka qenë kundër rritjes së pagave. Këtë qëndrim e ka fuqizuar në dhjetor të vitit 2015 përmes plotësimndryshimit të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku në nenin 22/c (Kufizimi i rritjes së buxhetit për paga dhe mëditje) është përcaktuar qartë se si mund të rriten dhe sa mund të rriten pagat. Në buxhetin e vitit 2017 nuk ka mjete të planifikuara për rritjen e pagave në asnjë sektor, kurse për vitin 2018 është përcaktuar me ligj që rritja e pagave nuk duhet ta tejkalojë normën e rritjes vjetore nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV)”, kështu ka thënë në këtë intervistë për gazetën “Epoka e Re”, zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj.

Ky reagim i saj vjen pas paralajmërimit të kryeministri Isa Mustafa se do të ketë rritje të pagave në disa sektorë publikë. /Epoka e Re/Telegrafi/