Për here të parë, sensorë për monitorimin e ajrit në klasat e shkollave të Kryeqytetit

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar instalimin për herë të parë të sensorëve digjitalë për monitorimin e cilësisë së ajrit në klasat e shkollave të Prishtinës.
Ky projekt, pjesë e iniciativës “Prishtina Smart City”, e bën Prishtinën komunën e parë në rajon që ndërmerr një hap të tillë në fushën e shëndetit publik dhe arsimit.
“Ky është vetëm njëri nga investimet tona në dijen, shëndetin dhe të ardhmen e brezit që do ta çojë vendin përpara”, ka deklaruar Rama.
Sipas komunës, instalimi i këtyre pajisjeve ka për qëllim sigurimin e një ambienti më të pastër e më të shëndetshëm për fëmijët, duke i mundësuar atyre kushte më të mira për të mësuar dhe për t’u zhvilluar.
Kryeqyteti mbetet i përkushtuar në avancimin e projekteve të tilla digjitale dhe në krijimin e kushteve sa më cilësore për sistemin arsimor dhe shëndetin e gjeneratave të reja.













































