PËR DITËLINDJE

Poezi nga: Thom Gunn
Përktheu: Agron Shala
Arrita në moshën kur fjalët nuk më ndihmojnë më:
Në vend që të më udhëheqin me shenja të qarta orientimi
Nëpër shkrepa të botës së pasigurt,
Ose si fretër të besueshëm në mal
Që të shpëtojnë me urtësi dhe me fuçi rakie
Ato janë guralecë, ose këlyshë që lehin,
Duke kafshuar pantallonat, duke u vërtitur te këmbët e mia.
Përshkrimi dhe zbërthimi varfërohen
Kufizojnë, vonojnë, ndryshojnë si toka që rrëshqet
Dhe kur rënkojmë, e dashur, ajo që nënkuptojmë
Po ta shohim nga afër, shumë shpejt do të shmang
Prirjen tonë për të kuptuar;
Dhe ose përvoja zbehet
Ose vlerësimet tona shndërrohen në gënjeshtra.
Qentë që hungërojnë janë barrë mbi vrapin tim,
Tonelata të tëra që i shkëpus gram pas grami.
Heq dorë nga gjithë ironia ime agnostike
Që të ngjitem në viset ku mund të prehem
Në burimet e fjalës, errësirën e mëparshme të së vërtetës:
Dhe shijoj naforën e ëmbël dhe të lagësht të gjuhës sate,
Dhe gjej kuptimet e sakta në gojën tënde të heshtur.

































