Pep Guardiola këshillohet të largohet nga Man City nëse e fiton sërish Ligën Premier

Manchester City vazhdon të jetë fuqishëm në garën për titullin e Ligës Premier, pasi iu afrua në vetëm dy pikë Arsenalit pas fitores minimale 1-0 ndaj Leedsit.
Teksa “Qytetarët” synojnë një tjetër kurorë vendore, spekulimet për të ardhmen e Pep Guardiolës në “Etihad” janë shtuar ndjeshëm.
Ish-portieri Shay Given ka hedhur idenë se trajneri spanjoll mund të largohet nga City në rast se fiton titullin këtë sezon, duke bërë një paralelizëm me pensionimin e Sir Alex Fergusonit pas titullit të Manchester United në vitin 2013.
“Arsenali ndoshta ka skuadrën më të fortë, sepse duket se kanë dy ose tre lojtarë për çdo pozicion”.
“Por Pep ishte interesant në konferencën për shtyp. Kur u pyet se çfarë duhet të bëjë Arteta për ta fituar trofeun, ai tha: ‘Nuk do t’i tregoj çfarë të bëjë’, sepse ka sytë te i njëjti trofe”.

Ai theksoi se gara është e thjeshtë në llogari: kush fiton të gjitha ndeshjet e mbetura, fiton titullin.
“City është shumë në garë dhe unë do të anoja nga City. Ata kanë qenë aty më parë dhe Guardiola duket se dëshiron ta fitojë sërish, pak a shumë si kur Ferguson u largua”.
“Mendoj se ai mund të largohet nëse fiton Ligën Premier këtë sezon, sepse e ka rindërtuar ekipin dhe do të ishte një mundësi për dikë tjetër të vijë pas tij. Por ai pa dyshim dëshiron të largohet në kulm”, përfundoi ish-portieri.
Me diferencën e ngushtuar mes dy skuadrave, pritet një fund dramatik i sezonit, teksa City synon ta rrëzojë Arsenalin nga froni dhe të sigurojë një tjetër titull kampioni./Telegrafi/












































