Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e tre personave në Vlorë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së shtetasit nga Kosova, F.Xh, 39 vjeç.

Të arrestuarit janë V.A, O.Ç. dhe J.Z.


Sipas pamjeve të siguruara nga grupi hetimor, pengu shihet duke qëndruar qetësisht në një lokal, së bashku me një shokun e tij dhe një nga personat e arrestuar.

Këto pamje kanë ngritur pikëpyetje mbi versionin e pengmarrjes së pretenduar, pasi personat duken se komunikojnë lirshëm dhe njihen mes tyre, raporton Tch.

Sipas palës mbrojtëse, 39-vjeçari nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe sende personale, me qëllim që të qëndronte aty për një periudhë kohe.

Denoncimi për pengmarrje, sipas avokatëve, është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se i riu u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se situata është keqinterpretuar si pengmarrje.

Në banesën ku dyshohet se qëndronte 39-vjeçari janë gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes përforcon pretendimin se ai kishte shkuar aty me vullnetin e tij.