Partia Demokratike e Kosovës sot mban Konventën e Përgjithshme, në të cilën pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

Konventa po zhvillohet më herët sesa parashihej, pasi më 12 nëntor Memli Krasniqi dha dorëheqje nga posti i tij si kryetar i PDK-së.


Sot, më 17 nëntor, delegatët e PDK-së do të vendosin për drejtuesin e ardhshëm të partisë.

Deri tani, Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për të udhëhequr partinë.

“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar Hamza.

Ndërsa Enver Hoxhaj e ka ftuar atë në një debat televiziv mes të dyve.

"E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por duhet të trajtohet si ngjarje e madhe politike që ka rëndësi për gjithë Kosovën, sepse sipas tij, e tillë është.

Se kush do të marrë drejtimin e PDK-së, pritet të bëhet e ditur sot në orën 17:00 me nisjen e punimeve të Konventës. /Telegrafi/