Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar atë për devijim nga misioni i saj dhe përpjekje për të ndërtuar një narrativë të rreme mbi luftën çlirimtare të Kosovës.

Sipas PDK-së, deklarimet e Prokurorisë në fazën përmbyllëse të gjykimit kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – konfirmojnë se procesi ka humbur karakterin e tij gjyqësor dhe është shndërruar në një përpjekje për “deformim të së vërtetës historike”.


Partia thekson se lufta e UÇK-së ka qenë përgjigje e domosdoshme ndaj represionit dhe krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ndërsa përpjekja për ta portretizuar atë si projekt kriminal përbën “barazim të viktimës me agresorin”.

PDK e ka cilësuar “absurde” kërkesën e Prokurorisë për dënime të larta ndaj të akuzuarve, duke e interpretuar atë si ndëshkim politik. Po ashtu, partia e ka quajtur të papranueshme çdo tentativë për të lidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se ky akt është i mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe i bazuar në të drejtën për vetëvendosje.

Në reagim, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare, duke e konsideruar çdo kriminalizim të saj si tentativë për rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës.

“Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon deklarata e partisë.