LAJMI I FUNDIT:

Pasojat e vërshimeve në Kosovë: Mbyllen rrugë, evakuohen familje, anulohen fluturime, përmbyten qindra vetura në parkingjet nëpër bodrume

Pasojat e vërshimeve në Kosovë: Mbyllen rrugë, evakuohen familje, anulohen fluturime, përmbyten qindra vetura në parkingjet nëpër bodrume

Pesë ditë më parë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëroi se do të ketë vërshime si pasojë e reshjeve të shiut që nisën pasditen e 6 janarit në disa zona të Kosovës, e të cilat deri më sot kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar.

Pas reshjeve të shumta të shiut, gjatë fundjavës dhe të hënën shumë zona të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin nëpër disa rrugë e në disa pjesë uji ka depërtuar nëpër shtëpi dhe bodrume të banesave.

Edhe pika kufitare “Dheu i Bardhë” për momentin është e pakalueshme, për shkak të vërshimeve në këtë zonë.


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka pasur probleme. duke anuluar disa fluturime, për shkak se në pajisjet e navigimit është futur uji si pasojë e reshjeve të shiut.

Shkaku i problemeve teknike anulohen tri fluturime në Aeroportin e Prishtinës, situata rikthehet në normalitet
Lexo po ashtu Shkaku i problemeve teknike anulohen tri fluturime në Aeroportin e Prishtinës, situata rikthehet në normalitet

Zëdhënësi i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Driton Ujkani, për Telegrafin ka thënë se për fat të mirë defektet teknike janë evituar dhe fluturimet janë rikthyer.

Në disa komuna janë shembur ura e madje edhe janë dëmtuar rëndë pjesë të rrugëve të asfaltuara gjatë ditëve të fundit, kurse ka vazhduar edhe sot evakuimi i familjeve, të cilat janë prekur nga vërshimet.

Komuna e Drenasit është në mesin e shumë komunave të cilat janë goditur vërshimet, ku si pasojë e situatës së krijuar janë evakuuar 14 familje.

Evakuimi i disa familjeve ka ndodhur edhe në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, ku ekipet e shpëtimit kanë evakuuar banorët me barka për t’i zhvendosur në një zonë më të sigurt, pasi nëpër shtëpitë e tyre ata thonë se më nuk ka as ujë të pijshëm e as energji elektrike.

Disa komuna kanë formuar tashmë grupe punuese për menaxhimin e situatës, ndërkaq në këtë proces është përfshirë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, veprim ky që u kritikua nga njohësja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj.

Në Komunën e Fushë Kosovës janë përmbytur shumë rrugë. Raportohet se bodrumet e banesave janë mbushur me ujë, ndërsa shumë vetura janë përmbytur.

Banorët e një lagjeje të Fushë Kosovës thonë se dëmet që janë shkaktuar janë shumë të mëdha, derisa sipas tyre ndihma e institucioneve shtetërore ka munguar.

“Uji që ka filluar të rrjedhë nga ora 1:00 pas mesnate na është futur nëpër bodrume. Rreth 200 vetura na kanë mbetur në bodrume të cilët i ka përmbytur tërësisht uji”, shprehet qytetari Arianit Dreshaj për RTV Dukagjinin.

Uji ka depërtuar edhe në shtëpinë muze të Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila në luftën e Kosovës ka të vrarë bashkëshortin dhe katër djemtë.

Shiu vërshon edhe shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, ia dëmton kujtimet e djemve të zhdukur
Lexo po ashtu Shiu vërshon edhe shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, ia dëmton kujtimet e djemve të zhdukur

Qerkezi ka deklaruar për mediat lokale se reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme në podrumin e shtëpisë, ku po i ruante mjetet e punës së djemve të saj.

“Mbrëmë prej orës 8 ka fillu kthimi i kanalizimit deri sot në mëngjes, tash ka nisë pak me u largu, edhe para dy ditëve tjera ishte shi i madh. Mbrëmë jam frikësuar se do të hyjë edhe në katin e parë. Janë mjetet e djemve që i kam ruajt në podrum. Mjetet e fëmijëve që kanë punuar në qebaptore janë dëmtuar”, ka deklaruar Qerkezi.

Ajo ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndihmë nga askush.

Shpallet gjendje të emergjencës civile në Vushtrri për shkak të rrezikut nga vërshimet
Lexo po ashtu Shpallet gjendje të emergjencës civile në Vushtrri për shkak të rrezikut nga vërshimet

Edhe në në komunën e Drenasit vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha, ku kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, menjëherë pas formimit të Qendrës Operative Emergjente u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të kenë mirëkuptim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga vërshimet.

Pas reshjeve të mëdha të shiut e borës, edhe Gjilani po përballet me vërshime në disa pjesë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se ka themeluar grupin punues për menaxhimin e situatës, ku pos institucioneve të Komunës, do të jenë të përfshira edhe KRU Hidromorava, Policia e Kosovës dhe FSK.

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim, Sami Spahiu tha “Nga këto vërshime është vërshuar dhe rrezikuar dje edhe trafostacioni kryesor i qytetit TS 110/KË Gjilani 5 nga vërshimi ujit në ora 11:50, ekipet emergjente kanë vendos pompa uji dhe është shmangur rreziku nga përmbytja totale e këtij trafostacioni me rëndësi të qytetit. Gjithashtu në disa pjesë të qytetit uji pijshëm është ndërprerë përkohësisht, sikurse edhe energjia elektrike për shkak të intervenimeve në terren nga e ekipet e shpëtimit të NJPZSH”.

Spahiu tha se nga ora 10:30 e datës 10.01.2020 deri në ora 08:00 datë 11.01.2020, ka pasur 87 kërkesa për ndihmë për intervenime nga vërshimet, ku janë evakuuar 15 persona (Gjilan 5, Malishevë 2, Uglar 3, Bresalc – Jabuqtë 4 dhe Shillovë – komuniteti Serb – 1).

Ai bëri të ditur se pjesët më të prekura  në qytet janë nga vërshimet e lumit Stanishorka tek lagjja Porodini, rruga qarkore, tek ish-INA, tek pishina Haëai, tek Fabrika Baterive, HIB petrol, ndërsa lumi Mirusha ka dal nga shtrati mbi rrugën qarkore, në Dardani I, Rr “Beqir Musliu”.

“Fshatrat në hyrje të Malishevës, Uglar, Perlepnicë, Livoç i Ulët, Livoç i Epërm, Kuvcë, Bresalc, Kosaqë e shumë vende tjera”, ka njoftuar ai.

Sipas tij, dëmet deri më tani janë shumë të mëdha në infrastrukturë, në pronë shtetërore dhe private.

“Ekipet tona të emergjencave ende janë në terren, duke ofruar ndihmën me gjitha mjetet në dispozicion dhe bëjme thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë të reshurave dhe vërshimeve, t’i shmangin lëvizjet në rrugë dhe për raste urgjente për evakuim apo rrethanë tjetër të kontaktojnë ne numrat emergjent, 193 dhe 112”, ka deklaruar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Sami Spahiu.

Edhe Podujeva po përballet me vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se komuna ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, Ekipin emergjent të Komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste dhe të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla.

Po ashtu për adresimin e problemeve dhe dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, kryetari Bulliqi porositi qytetarët që t’i shfrytëzojnë edhe platformën e komunikimit “Alo Komuna” në 0800 19 110.

Në Malishevë nga vërshimet janë përmbytur lokale të tëra dhe qarkullimi në qendër është vështirësuar, ndërsa në Fushë Kosovë janë parë bodrume të vërshuara pas të reshurave si dhe vetura të mbuluara nga uji.

Me vërshime po përballet edhe Hani i Elezit. Nga vërshimet si pasojë e reshjeve janë bllokuar për qarkullim edhe disa magjistrale, ndërsa qarkullimi është vështirësuar edhe brenda qyteteve.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se do të themelohet një fond emergjent për t’i ndihmuar familjet që u preken nga përmbytjet e reshjeve të shiut.

Qeveria premton themelimin e një fondi emergjent për përmbytjet
Lexo po ashtu Qeveria premton themelimin e një fondi emergjent për përmbytjet

“Do të themelojmë një fond emergjent për t’i dalë në ndihmë familjeve që u dëmtuan nga përmbytjet dhe janë në kushte të vështira”, u shpreh Hoti.

Hoti shtoi se gjendja është e rëndë në disa prej komunave.

“Gjendje e rëndë në shumicën e komunave në Kosovë. Janë shkaktuar dëme të mëdha në prona private dhe shtëpi. Po kujdesemi të intervenojmë aty ku gjendja është më e rëndë”, ka thënë Hoti.

Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës në fshatin Dobroshec të komunës së Drenasit.

Kurse, pas vërshimeve Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar, ku ka fajësuar institucionet përgjegjëse për dëmet që janë shkaktuar në infrastrukturë pas përmbytjeve.

Osmani ka thënë se “është tërësisht i pafalshëm” mungesa e seriozitetit për kualitetin e investimeve në infrastrukturë.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës ka thënë se pas këtyre reshjeve nuk do të mjaftojnë investimet në rrugë pa u bërë me standarde të larta.

Mesditën e së hënës, edhe kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje qeverisë që të mobilizohen dhe të thërrasin shtabin emergjent për menaxhimin e krizave, pas vërshimeve që kanë ndodhur në disa vende të Kosovës, për shkak të reshjeve të shiut.

Ndërkaq, një gjendje më e mirë është në Komunën e Ferizajt, ku Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka bërë të ditur se situata me vërshimet në komunën që ai drejton është plotësisht e menaxhueshme.

Aliu përmes një postimi në Facebook, tha se me kohë kanë bërë investime cilësore, duke hapur kanal ujor prej 150 kilometrave për të parandaluar vërshimet.

Aliu: Situata me vërshimet në Ferizaj është plotësisht e menaxhueshme
Lexo po ashtu Aliu: Situata me vërshimet në Ferizaj është plotësisht e menaxhueshme

Sipas tij, bllokimet e rrugëve dhe nënkalimeve janë të pakta dhe se nuk janë bërë për shkak të mungesës së cilësisë në punime, por janë shkaktuar nga veprime të papërgjegjshme të qytetarëve.

Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se pas reshjeve të shumta të shiut ka ngritje enorme të nivelit të lumenjve.

Sipas njoftimit të IHMK-së, kësaj gjendje i ka parapri edhe sasia e borës e rënë ditë më parë e cila si pasojë e temperaturave pozitive, është shkrirë me shpejtësi duke e vështirësuar edhe më tepër këtë situatë.

“Pas reshjeve të shumta të rëna gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë përfshi tërë territorin e Kosovës, duke shkaktuar vërshime masive nëpër disa zona të vendit. Kësaj gjendje i ka parapri edhe sasia e borës e rënë ditë më parë e cila si pasojë e temperaturave pozitive, është shkrirë me shpejtësi duke e vështirësuar edhe më tepër këtë situatë. Edhe gjatë 24h të fundit kanë vazhduar reshjet me intensitet të shtuar, në tërë vendin të cilat edhe më tepër e kanë përkeqësuar situatën me vërshime”, thotë IHMK, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, instituti thotë se lumenjtë kryesor të Kosovës, gjatë orëve në vazhdim, parashikohet të kenë nivele dhe prurje shumë të larta, ku maksimumi i tyre pritet të arrij gjatë orëve në vijim.

“Lumenjtë kryesor të Kosovës, gjatë orëve në vazhdim, parashikohet të kenë nivele dhe prurje shumë të larta, ku maksimumi i tyre pritet të arrij gjatë orëve në vijim. Situata pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, për të vazhduar me tendencë të rënies së letë të niveleve dhe prurjeve të ujit, e cila do të vazhdoj deri më datë 13/01/2021, ku përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal”, njoftoi instituti gjatë të hënës. /Telegrafi/

View this post on Instagram

A post shared by Telegrafi.com (@telegrafi)