Pas përfundimit të fushatës njëmujore sensibilizuese me moton “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, Policia Rajonale e Ferizajt ka filluar zbatimin e masave ndëshkuese ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë ngasjes.

Gjatë fazës sensibilizuese, që nisi më 6 tetor 2025, janë mbajtur ligjërata në shkolla, janë zhvilluar takime me qytetarë dhe janë shpërndarë fletëpalosje me mesazhe vetëdijesuese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit, përcjell Telegrafi.


Si rezultat i kontrolleve policore, vetëm gjatë muajit tetor janë shqiptuar 329 gjoba për drejtuesit që kanë shkelur këtë rregull, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Policia rikujton se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, duke apeluar tek të gjithë shoferët që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo shpërqendrim.

Kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë në ditët në vijim në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim ruajtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/