Kryetari i LVV-së, njëherit edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka nisur diskutimet për formimin e qeverisë me partitë politike nga pakicat.

Gjatë të mërkurës, Kurti takoi kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, e pas saj edhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.


Kështu u bë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi takimet me partitë politike të pakicave, në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re. Ai mirëpriti ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim.

“Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katërvjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, këto takime janë mbajtur në Zyrën e kryeministrit, ani pse Kurti është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/