Pas dështimit të ‘Joker 2’, Joaquin Phoenix përballet me vjedhje në shtëpi

Pas dështimit kritik dhe financiar të “Joker 2”, Joaquin Phoenix përballet me një tjetër problem: një vjedhje në shtëpinë e tij në Los Angeles.
Sipas burimeve të TMZ, këtë javë hajdutët kanë marrë një Volvo SUV të vitit 2022, me vlerë rreth 60 mijë dollarë (rreth 52 mijë euro), të parkuar jashtë shtëpisë së aktorit.
Makina u raportua si e vjedhur të hënën nga një punonjës i Phoenix, ndërsa vetë aktori nuk ndodhej në shtëpi. Hetimet janë në vazhdim, por ende nuk ka të arrestuar, shkruan DailyMail.
Ndërkohë, Phoenix ka kaluar një periudhë të vështirë në karrierë. Pas suksesit të madh të “Joker” në vitin 2019, ai është shfaqur në disa projekte që nuk kanë pasur të njëjtin impakt, si “Beau Is Afraid” dhe “Napoleon”.
Edhe pse “Napoleon” grumbulloi mbi 220 milionë dollarë (afërsisht 204.6 milionë euro), raportohet se shkaktoi humbje për shkak të kostove të larta.
Phoenix jeton me bashkëshorten Rooney Mara dhe dy fëmijët e tyre. Çifti është bashkë që nga viti 2017 dhe u martuan në vitin 2023.
Aktori pritet të rikthehet në ekran me filmin “Eddington”, në bashkëpunim me regjisorin Ari Aster dhe yje si Pedro Pascal e Emma Stone. /Telegrafi/

































































