Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) njoftoi sot se Parku Natyror “Syri i Kaltër” në Sarandë tashmë është i hapur për vizita dhe i sigurt për turistët. AKZM apelon që vizitorët të tregojnë kujdes, të jenë vigjilentë dhe të njoftojnë strukturat shtetërore për çdo situatë të pazakontë.

Një ditë më parë, punonjës të AKZM kryen një inspektim në terren, ku në vlerësimin paraprak u evidentua se 30.66 hektarë të sipërfaqes së parkut janë përshkruar ose dëmtuar nga zjarri. Struktura e AKZM, në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe institucionet e tjera shtetërore, janë angazhuar për rikthimin e plotë të sigurisë për komunitetin, bizneset në zonë dhe vizitorët.


“Analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është pjesë e masave për fazën e rimëkëmbjes. Solidariteti, bashkimi i përpjekjeve dhe rikuperimi psikologjik e emocional janë parimet që na udhëheqin”, thekson AKZM.

Zjarri që nisi në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, kaloi në fshatin Pecë, shumë pranë Syrit të Kaltër. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave shtetërore, flakët u shuan duke parandaluar dëmtimin e monumentit natyror. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në lartësitë e Malit të Sopotit vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 67 forca zjarrfikëse, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 autoambulanca, 30 forca mbështetëse dhe 11 automjete zjarrfikëse. Në ndihmë u angazhua edhe avioni italian “Canadair”.