Presidenca franceze ka publikuar pamje të avionëve ushtarakë që nisen për në Siri. Videoja vjen disa orë pasi Emmanuel Macron njoftoi sulmin mbi Damaskun, së bashku me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Siç raportojnë mediat, përcjell Telegrafi, nuk është e qartë nëse avionët po ngriheshin nga një bazë ushtarake apo nga një bartëse avionësh.


Në deklaratën e saj, Pallati Elysee thekson se forcat e armatosura franceze po nisen kundër "arsenalit të paligjshëm kimik të regjimit sirian".

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka miratuar sulme ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Sulmet janë në përgjigje të incidentit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP njoftojnë se disa shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytetin e Sirisë, Damask, në kohën që presidenti Trump njoftoi fillimin e goditjes ushtarake.

Presidenti Trump veçoi mbështetësit kryesorë të Sirisë, Rusinë dhe Iranin, që nuk e ndaluan regjimin sirian të përdorte armë kimike. /Telegrafi/