Paris Hilton magjeps me dukjen ndërsa kombinohet në ngjyrën rozë me familjen e saj në premierën e dokumentarit "Infinite Icon: A Visual Memoir"

Duket se Paris Hilton po ia përcjell dashurinë e saj për ngjyrën rozë edhe familjes. Mbrëmjen e kaluar, ylli amerikan festoi premierën botërore të dokumentarit të saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir, një projekt që pasqyron lidhjen e saj të përjetshme me muzikën përmes pamjeve nga koncertet, videove familjare, intervistave dhe materialeve të tjera arkivore.
Në këtë natë të veçantë, Paris Hilton u shfaq e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Carter Reum, si dhe dy fëmijët e tyre, Phoenix trevjeçar dhe London dyvjeçare. Familja u shfaq në tapetin e kuq me veshje të koordinuara, ku, siç pritej, dominonin nuancat e rozës.
Për eventin e mbajtur në Los Angeles, Hilton zgjodhi një fustan elegant në ngjyrë kuarc-rozë nga Tony Ward Couture. Dizajni i butë dhe delikat theksohej nga dekolteja e thellë dhe një bust transparent me detaje argjendi, i shoqëruar nga një jakë “choker” me shkëlqim, që përputhej me elementet metalike në pjesën e belit.

Fustani kishte mëngë të gjata në formë manteli, të shoqëruara me doreza të dekoruara me qëndisje argjendi në pjesën e manshetave, duke i dhënë pamjes një ndjesi luksi dhe elegance, thuajse si bizhuteri. Fundi i palosur kishte çarje anësore, që zbulonin këpucët e saj argjendi, të zbukuruara me gurë shkëlqyes.
Sa i përket stilimit, trashëgimtarja e famshme kishte zgjedhur një pamje të frymëzuar nga vitet Y2K, me flokët e kapura në një topuz të lartë dhe paksa të çrregullt.

Megjithatë, Paris nuk ishte e vetmja që mori vëmendje në tapetin e kuq. Dy fëmijët e saj “vodhën” një pjesë të vëmendjes falë xhaketave të tyre varsity në rozë të ndezur, të qëndisura me emrat e tyre. Phoenix e kompletoi dukjen me pantallona të zeza cargo, atlete të bardha me gurë argjendi dhe syze dielli të zbukuruara, ndërsa London ishte veshur me një tutu rozë të çelët, geta të bardha, një fjongo rozë në flokë dhe të njëjtat këpucë e syze si vëllai i saj. Ajo mbante gjithashtu një çantë në formë zemre dhe një kukull në krahë.

Edhe Carter Reum u përshtat me temën e mbrëmjes, duke veshur një bluzë rozë me print nga koleksioni i filmit të Paris Hilton, të kombinuar me një xhaketë të zezë bomber, pantallona sportive dhe atlete Dior me dy ngjyra.
Një moment familjar i kuruar deri në detaje, që u shndërrua në një pamje të përkryer për tapetin e kuq dhe konfirmoi edhe një herë stilin unik dhe të dallueshëm të Paris Hilton. /Telegrafi/

































































