Paratë e Kthimit i mbajnë për vete dhe miqtë

Kur Auditori i Përgjithshëm kishte realizuar një auditim të përgjithshëm në Ministrinë e Komunitetit dhe Kthimit (MKK), në vitin 2006, kishte dalë se kontabiliteti i MKK-së kishte parregullsi. Në buxhetin e saj kishin mbetur edhe 1.1 milionë euro.
Kur i kishte parë këto rezultate, në atë kohë zyra e zëvendësit të parë të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të bashkuara në Kosovë, kishte kërkuar që 1.1 milion t’i transferohen Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK).
Por, MKK-ja kishte njoftuar se paratë mungonin, pasi që gjoja i kishin harxhuar në ndërtimin e shtëpive për minoritarët e kthyer në Kosovë.
Pas kësaj, policia me sektorin për hetimin e krimeve ekonomike dhe kundër-korrupsionit realizon një bastisje në MKK dhe në Thesar, duke konfiskuar dokumente dhe kontrata që reflektonin renovimet që kushtuan 1.1 milionë euro.
Policia hetoi edhe në terren, por nuk gjeti renovimet apo ndërtimet e përmendura në kontratat e shumta që ishin “kompletuar” nga kontraktuesit e angazhuar nga MKK-ja.
Nga hetimi Policia gjen se nga 1.1 milionët e munguar, kontratat e gjetura dhe shënuara kapin vlerën mbi 600 mijë euro.
Secili kontraktues në polici ka pranuar se nuk ka bërë punën e përmendur në kontratë, por në vend të kësaj ata ishin drejtuar nga personeli i MKK-së që të bëjnë punë tjetër duke përfshirë këtu renovimin e apartamentit të Nemanja Vujoviqit, ish-shef i prokurimit në MKK, dhe renovimin e apartamentit ku jetonin prindërit e tij, restorant “Tropicana” në Laplje Selo si dhe projekte të tjera, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.
Po ashtu, ishte renovuar shtëpia në emrin e Pavles, babait të ish-ministrit të MKK-së, Slavisha Petkovic dhe një shtëpi ishte ndërtuar për mikeshën e afërt të ish-ministrit Petkoviq, Marina Dimitrijevic, e cila punonte në UNMIK.
Një shtëpi tjetër ishte ndërtuar për Miroslav Trajkovicin i njohur si Teca, punëtor në MKK.
Pas hetimeve, Prokuroria Speciale e Kosovës, në gusht të 2010-së ngrehë aktakuzë kundër Slavisa Petkovicit, ish-ministër në MKK, Branislav Grbic, ish-sekretar permanent dhe ish-ministër në MKK, Nemanja Vujovic, ish punonjës në logjistik dhe ish-shef i prokurimit në MKK dhe më vonë zëvendës ministër në Ministrin e Shëndetësisë.
Muhamet Sadiku, i njohur si Piraci, pronar i firmave të ndërtimit 3 Labi dhe Art -Piraci, Ruzhdi Prebreza pronar i firmave të ndërtimit N.N.P. Era-M dhe Projekti Grup, Ismet Hasani pronar i firmës së ndërtimit N.N. Valoni, Rifat dhe Fidan Sadiku (babë e birë) pronarë të firmave të ndërtimit N.P.Sh. Riar-Alfisi dhe Riar, Shemsi Haliti pronar i firmës së ndërtimit N.N.T. Brezi Kufitar, Gani Zeneli pronar i një firme ndërtimi N.Sh. Atdhetari dhe Driton Hamiti pronar i një kompanie për përpunimin e drurit N.N.P. Diti, po ashtu akuzohen.
Kundër dy ish-ministrave Petkoviq e Grbiq rëndojnë akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, shpërdorim, mashtrim në detyrë, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe falsifikim i dokumenteve. Të gjitha veprat, pos atë të shpërdorimit të pozitës ose autorizimit, i kishin kryer në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë.
Nemanja Vujovic, pos që akuzohet për të gjitha ato vepra penale, ngarkohet edhe për marrje të ryshfetit nga Ruzhdi Prebreza, i cili akuzohet për dhënie të tij.
Në javën e fundit, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është mbledhur sërish kolegji i gjykatësve për këtë rast. Të pandehurit së bashku me mbrojtësit e tyre janë paraqitur në seanca, por asnjë nga seancat nuk është mbajtur, kjo për shkak të mungesë së dëshmitarëve të prokurorisë. Dëshmitarët e prokurorisë gjenden në Mal të Zi dhe në Serbi e të njëjtit nuk kanë vullnet të vijnë për të dëshmuar. /Telegrafi/



















































