Edicioni i Dytë i Forumit të Paqes në Pejë do të mbahet më 5 nëntor 2025, duke bashkuar në qytetin e Pejës liderë ndërkombëtarë, akademikë, diplomatë, inovatorë dhe paqendërtues nga Evropa, Azia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tema qendrore e edicionit të dytë është: ndërtimi i besimit dhe mirëkuptimit në një botë të trazuar.


Forumi i Paqes në Pejë zhvillohet në bashkëpunim me Forumet Ndërkombëtare të Paqes në Paris, Basel, Abu Dhabi dhe qendra të tjera të mëdha të dialogut global, duke e pozicionuar Pejën si një qendër të rëndësishme të reflektimit dhe bashkëpunimit për paqen.

Një ndër momentet kulmore të Forumit do të jetë fjalimi i të Ftuarit të Nderit, Gjeneralit Wesley Clark, i cili do të ndajë përvojën e tij shumëvjeçare në ndërtimin e paqes dhe vendimin e tij historik për të udhëhequr Misionin e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Edicioni i Parë i Forumit të Paqes në Pejë (2024) u përqendrua në temën "Ndërtimi i Paqes në një Botë Rivaliteti" dhe solli në Pejë personalitete dhe lider të njohur nga SHBA, Japonia, Evropa, Amerika e Jugut dhe Ballkani, duke vendosur themelet e një platforme të qëndrueshme ndërkombëtare për dialog dhe bashkëpunim.

Punimet e Forumit të Paqes në Pejë 2025 do të zhvillohen në Universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë dhe do të transmetohen drejtpërdrejt online.

Për të ndjekur punimet, regjistrohuni në: https://pejapeaceforum.org/

Forumi i Paqes në Pejë organizohet me përkrahjen e Rotary Club Peja, Universitetit "Haxhi Zeka", dhe partnerit medial Telegrafi.