Për shkak të një problemi serioz teknik në rrjetin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencionit të Regjistrit Civil të Kosovës, aktualisht është pamundësuar funksionimi normal i shumë prej shërbimeve administrative në Komunën e Pejës.

Kështu thuhet për një postimi në rrjetin social në Facebook nga Komuna e Pejës, ku ndër të tjera bëhet e ditur se ky problem, i shkaktuar nga ndërprerja e lidhjes me sistemin elektronik, ka ndikuar në pamundësinë për të përpunuar dhe lëshuar dokumente të rëndësishme.


“Si certifikatat personale, ekstraktet familjare, dokumentet e identifikimit, si dhe shërbime të tjera,  që varen nga ky sistem”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim as platforma E-Kosova dhe as sportelet e administratës nuk janë funksionale për momentin.

“Pavarësisht përkushtimit të stafit tonë për ofrimin e shërbimeve pandërprerje, kjo situatë është jashtë kompetencës së Komunës dhe zgjidhja e saj varet nga autoritetet qendrore. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe do t’ju informojmë menjëherë sapo të rikthehet funksionaliteti i plotë i sistemit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe Nita Panduri, kryesuese e kolegjiumit të administratës në Asociacionin e Komunave të Kosovës ka thënë për Telegrafin se ky problem nuk është vetëm në komunën e Pejës.

“Me të njëjtin problem përveç Komunës së Pejës po përballen edhe komunat e tjera në rajonin e Dukagjinit”, tha Panduri. /Telegrafi/