Osmani takon të ngarkuarën me punë të SHBA-së, flasin për zhvillimet e fundit politike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend.
Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet një vendim i drejtë dhe strategjik.
Ajo nënvizoi se Kosova beson në lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe shprehu gatishmërinë e vendit për të dhënë kontribut konkret dhe të përgjegjshëm në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje lidhur me çështje të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral, si dhe diskutuan për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim.
Takimi riafirmoi partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët./Telegrafi/



















































