Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Vatikan ku sot bashkë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë homazhe për Papa Françeskun.

Presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë në mesin e krerëve botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, që do të marrin pjesë edhe në varrimin e Papa Françeskut, të shtunën më 26 prill.

Nga vendet e rajonit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova do të marrin pjesë në varrim, ndërkaq në varrim do të jetë i pranishëm edhe kryeministri serb, Gjuro Macut.

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një goditjeje në tru dhe dështimi të pakthyeshëm të zemrës, sipas njoftimit zyrtar të Vatikanit.

Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani.

Françesku e ka lënë në testament që dëshironte të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë papë të mëparshëm. /Telegrafi/