LAJMI I FUNDIT:

Oreksi i prishur

Megjithëse i stërngarkuar këtyre dy-tri javëve me disa kërkesa profesionale nga lëmi i përkthimeve, nuk mund t’i lejoj vetes një luks të vajtoj se jam i lodhur nga kjo. Jo se kjo gjë më bën të lumtur. Çka më ka prishur bioritmin është zogu apo zogjtë.

Në një kohë në shkollë mësuesja na fliste për zog e për bylbyla, e na hiç pa sherr: me siguri ngase ende nuk kishin lindur këta këngëtaret e sodit me na kallxu se çka është zogu. Të drejtën me ju thanë, e dua natyrën në pakufi, por ama do zogj ma kanë prishur oreksin. As zë të mirë, as pupla të bukura. Por, shëndosh se do t’i gjendet halli namit (zi), e gjer atëherë, unë do të vazhdoj t’i lakmoj zogjtë që nuk e rrahin vetveten: ata natyralë, ata të llojit që i quajmë “kulumri”…


Por, tjetër çka më prishi oreksin (e bukës)?! Eh pra, ca deputetë anembanë globit, e sidomos në mesin tonë që aty flisnin një fjalë, aty votonin diç tjetër nga ajo që kritikonin. Aty në fqinjësi, një mbrëmje, shikonin televizorin nga tarraca familja e tërë… Djali 11 vjeçar që përcillte ndonjë seancë kuvendesh, sa klithi me inat: “Ndale dorën zotëri deputeti ! Një fole tjetër votove! Ndale dorën se më korite”!

Edhe fëmija shihnin diçka të pazakontë dhe e merrnin si hise marren e deputetit. Më kot se të mëdhenjtë e gëlltitnin sapunin pa bë zë! Me vetvete u mendova: “Pritni, pritni, se ishalla nuk ndërrojnë mëndje këta fëmijë e do t’ju shtinë me vjellë pas pak vitesh. Jo vetëm me vjellë, por edhe me e lëpi, e me e bë xham vendin… Po, sigurisht, sepse jeni duke i lënë fëmijët me plagë të rënda; me varrë të hapur; me zemër vrer. Vetëm votoni, votoni, votoni! Por, të nesërmen mos e harroni! Aty ju shkruhet fundi, o laramana të zi (mos u habitni të nderuar lexues, thash mirë laramana të zi, se ka të tillë… plot bile)!

E treta? Ah po e treta… Këtu do të ndalem në një politikë të re që kaplon botën dhe mjediset e lajmeve mbarë. A e dini se tani më nuk ka më babë e nënë? Po pra, kjo politikë po luhet në botë. Tash ka prindi 1 dhe prindi 2, e unë nuk di t’ju them cili është njëshi, cili dyshi, ai “më femër, ose ai më mashkull”!

Ah, më falni se hyra thellë: nuk ka as mashkull, as femër, sepse ju jeni “qenie e ndryshme”. Mandej, edhe mos gaboni të thoni më as shqiptar, as kosovar, as gjerman, sepse ju jeni i botës. As i bardh, as zezak, por vetëm qenie njerëzore. Aq. Pa shtet, pa identitet. S’ka më ndarje, sa do që ajo të jetë e mirësjelltë dhe pa ngjyra racizmi. Thjeshtë, shenjë identiteti. S’ka, dhe pikë, ani se dikush i thotë krejt këto gjera me të cilat do të tregojë se ka hyrë në një kohë të re shumë humane e nga ana tjetër vetëm kërkon ku e kujt t’ia ngjes me dhëmbë e ta mposht si asgjënë.

Konkluzioni im: Dikushi i ka fjalët humane e punët gjakhane. Të tjerëve u ngelët vetëm të bëjnë sehir e të votojnë, e të votuarit mandej të flasin tjetër e të votojnë tjetër, atje lartë ku i ngjitët ju me kokrrën që ju dhatë.

Urimi im: Rroftë dallaverja, gjersa të shkojë kungulli mbi ujë…!