LAJMI I FUNDIT:

Opozita thotë se tërheqja e Kosovës nga projekti i gazit rrezikon partneritetin me SHBA-në

Opozita thotë se tërheqja e Kosovës nga projekti i gazit rrezikon partneritetin me SHBA-në

Tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur në kundërshtime nga partitë opozitare në Kosovë.

Reagime për tërheqjen nga projekti i infrastrukturës së gazit për këtë kanë ardhur edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që e ka quajtur vendim të ngutshëm.

Nga MCC-ja thanë se “vendet partnere udhëheqin me përzgjedhjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve” të mbështetura nga korporata”.


Zëdhënësi i MCC-së, Marc Rockwell-Pate, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë tha se “MCC-ja mirëpret që të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa ne punojmë për të ulur varfërinë dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”.

“Përmirësimi i shkallës së investimeve potenciale është një pozitiv drejt finalizimit dhe nënshkrimit të kompaktit midis MCC-së dhe Kosovës”, tha zëdhënësi i MCC-së.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Ajo ka thënë se kanë nevojë për më shumë informata, “për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Megjithatë, Rizvanolli ka bërë të ditur se do të shfrytëzojnë investimin e përcaktuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët, që gjithashtu e ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

Infrastruktura e gazit dhe termocentrali

MCC-ja kishte përcaktuar një shumë deri në 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Opsioni që ishte më i studiuari për këtë projekt nga Qeveria e Kosovës është thënë se ka qenë ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që do t’i jepte qasje Kosovës – përmes Maqedonisë së Veriut.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se vendimi për tërheqje nga investimi në infrastrukturë të gazi ishte i ngutshëm.

“Ka qenë befasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur të heqë dorë nga projekti i tillë. Po ndoshta ajo që është më inkurajues është se pritet të vazhdojë bashkëpunimi me MCC-në për të parë se si kjo korporatë mund të investojë në Kosovë në aspekte të tjera, përmes të ashtuquajturit program kompakt”, thotë Zeka.

Kostoja kapitale e investimit në infrastrukturën e gazit dhe termocentrali e cila ishte llogaritur se mund të kushtojë deri në 600 milionë euro ishte njëra prej dilemave që kishte Qeveria e Kosovës.

Zeka thotë se asnjë shtet partner i Kosovës e as Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk do ta fusnin Kosovën në një pozitë të vështirë financiare. Duke u nisur nga kjo, ai thotë se projekti është dashur të vazhdojë.

“Kosova ka pasur nevojë të investojë në infrastrukturë e cila mundëson difersifikimin e burimeve të energjisë, respektivisht krijimin e infrastrukturës që do të mundësonte bartjen e gazit natyror. Kjo do të fuqizonte kapacitete industriale”, shprehet Zeka.

Haradinaj: Goditje ndaj shtetit dhe SHBA-së

Reagime pas tërheqjes Qeverisë së Kosovës nga ky projekt kanë ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe lideri i saj Ramush Haradinaj. Në një konferencë për media të premten, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, po rrezikon partneritetin me SHBA-në.

“Refuzimi i qeverisë ndaj këtij projekti të interesit gjeostrategjik dhe gjeopolitik me dobishmëri të lartë ekonomike është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit dhe partneritetit Kosovë-SHBA dhe interesave të SHBA-së në Ballkan”, tha Haradinaj.

Reagime ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas LDK-së, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, që do t’i siguronte shtetit furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik.

“Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Një ditë para tërheqjes së Qeverisë së Kosovës nga ky projekt, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte kërkuar aprovimin e projektit amerikan për infrastrukturën e gazit dhe termocentralin me gaz.

PDK-ja tha se anulimi i planeve për ndërtimin e planeve për infrastrukturën e gazit, “do të ishte një humbje e madhe për qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë, si dhe do të përbënte cenim direkt të interesave tona shtetërore e kombëtare”.

Kyçja e Kosovës në projektet rajonale të furnizimit me gaz natyror është paraparë edhe në Strategjinë e Energjisë e Republikë së Kosovës 2017-2026.

Në këtë strategji thuhet se projekti i gypit Trans Adriatik (TAP) i ka krijuar Kosovës mundësi të mëdha për t’u kyçur në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror.

Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike, e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obiliqit. Rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.

Metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.

Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private. /rel/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Edhe atëherë kishte media të lira", Peci: Refuzimi i aplikimit të KB “Krusha” në kohën e PAN-it nuk ka përbërë lajm

Ekonomi
Fahrije Hoti thërret konferencë për media për të hënën, thotë se do t’i demantojë shpifjet e Faton Pecit

Fahrije Hoti thërret konferencë për media për të hënën, thotë se do t’i demantojë shpifjet e Faton Pecit

Ekonomi
Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Kalo në kategori