Po afrohet ajo periudhë e vitit kur Kosova gjallëron, aeroportet mbushen me përqafime të ngrohta, rrugët zhurmojnë nga zërat e fëmijëve, kur qytetet dhe fshatrat tona marrin jetë e lulzojnë përsëri. Nga fundi i qershorit deri në mesin e gushtit, me valixhe të mbushura dhe fëmijë që flasin një shqipe të përzier me gjermanishte a frangjishte, me lot gëzimi në sytë e prindërve e gjyshërve, mijëra bashkatdhetarë kthehen për disa javë në mëmëdhe. Ky rit i përvitshëm na kujton se rrënjët nuk shkulen lehtë, se kujtimet janë më të fuqishme se sa lluksi mesdhetar. Është sezoni i rikthimit të diasporës - asaj pjese të shpërndarë të kombit që, përveç remitancave dhe dhuratave, sjell edhe jetë e gjallëri, sjell ide të reja, përvoja nga tregje të zhvilluara dhe një dëshirë të sinqertë për të dhënë diçka më shumë vendit nga i cili, ata apo prindërit e tyre ishin larguar.

Në vitet 90’ta, diaspora ishte një nga shtyllat që mbajti gjallë arsimin në gjuhën shqipe, mbështeti sportin paralel dhe mjeksinë familjare “Nëna Terezë”,  si dhe financoi lëvizjen për çlirimin e vendit. Pas përfundimit të luftës, ajo kontribuoi fuqishëm në rimëkëmbjen e Kosovës. Sot, sfidat janë të tjera, por edhe potenciali është shumë më i madh. Diaspora e sotme nuk është vetëm më e pasur financiarisht, por edhe intelektualisht; ajo është më e arsimuar, më e integruar dhe më e lidhur me botën. Brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve nuk janë më thjesht “fëmijët e emigrantëve”, por profesionistë, sipërmarrës, artistë e mendje të hapura që mund të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës në vendet ku jetojnë e veprojnë.


Për një kohë të gjatë, kontributi i diasporës shqiptare është parë kryesisht përmes remitencave që ajo sjell në vend. Të dhënat e publikuara nga Instituti GAP, të bazuara në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tregojnë se remitencat kanë shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë dhjetë viteve të fundit – nga 665 milionë euro në vitin 2015 në 1.35 miliardë euro në vitin 2024, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të diasporës në ekonominë vendore. Megjithatë, një qasje e tillë e thjeshtësuar nuk e pasqyron plotësisht rolin dhe potencialin e vërtetë të disaporës. Në kohën kur Kosova përballet me sfida serioze ekonomike dhe demografike, diaspora nuk duhet parë thjesht si një burim financiar, por si një pasuri strategjike e pashftyrëzuar dhe një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim shoqëror.

Sot, anëtarët e  diasporës po kalojnë nga roli tradicional i përkrahësve financiarë në aktorë aktivë të zhvillimit. Ata po investojnë në biznese, po promovojnë turizmin kulturor, po nxisin bashkëpunime ndërkombëtare dhe po kontribuojnë në formësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Rastet e suksesit janë të shumta dhe domethënëse. Nga “Stone Castle”, një nga kantinat më të mëdha të verës në rajon, te “Sunny Hill Festival”, që tërheq mijëra vizitorë dhe e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare të muzikës; nga Frutomania, që eksporton lëngje natyrale, te Menakon, kompania e specializuar në përpunimin e drurit, e deri te KosICT, konferenca më e madhe teknologjike në vend, janë dëshmi e një vizioni të ri dhe të një përkushtimi për zhvillim të qëndrueshëm në vendlindje. Mjafton që institucionet ta kuptojnë këtë potencial dhe të krijojnë ura të qëndrueshme bashkëpunimi.

Ky ndikim nuk kufizohet vetëm tek gjenerata që emigroi, por po bartet dhe riformësohet nga brezat e rinj që kan lindur e janë rritur jashtë vendit.  Ndryshe nga gjenerata e parë, që Kosovën e përjeton si shtëpinë që e ka lanë pas, brezi i ri po rritet midis dy realiteteve: vendit të lindjes dhe origjinës familjare. Për ta, Kosova është më shumë se një destinacion pushimi, është një pjesë e identitetit, një mundësi për të ndërtuar ura dhe për të kontribuar në zhvillim.

Me përvoja ndërkulturore, etikë të lartë pune dhe qasje në tregjet ndërkombëtare, kjo gjeneratë përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për Kosovën. Megjithatë, ky potencial rrezikon të mbetet i pashfrytëzuar në mungesë të një strategje institucionale të qëndrueshme që ofron mundësi reale për përfshirje afagjatë dhe kuptimplotë.

Për të kaluar nga falënderimet simbolike në veprime konkrete, është jetike që diaspora të trajtohet si kapital njerëzor strategjik. Kjo nënkupton thjeshtimin e procedurave për investime, krijimin e platformave digjitale për informim dhe rrjetëzim, si dhe ofrimin e mundësive reale për përfshirje ekonomike, kulturore dhe arsimore.

Qasja gjithpërfshirëse duhet të fokusohet, nga njëra anë, tek fëmijët dhe të rinjtë e diasporës për të forcuar lidhjen e tyre emocionale dhe identitare me Kosovën, dhe nga ana tjetër, tek gjeneratat e rritura, për të nxitur përfshirjen e tyre profesionale dhe tërheqjen e investimeve. Për të rinjtë, kampet verore në Kosovë dhe hapja e qendrave kulturore në vendet me praninë më të madhe të diasporës do të ofronin mundësi për të mësuar gjuhën, historinë dhe kulturën përmes kurseve, ekspozitave, performancave artistike dhe ligjëratave. Po ashtu, është e rëndësishme që hapësirat në ambasada dhe konsulata të shndërrohen në qendra interaktive që nxisin përfshirjen kulturore dhe sociale.

Ndërkohë, për investitorët potencialë nga diaspora, duhet thjeshtuar procedurat burokratike dhe ndërtuar platforma digjitale të dedikuara për informim, rrjetëzim dhe përfshirje konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pa një qasje të tillë proaktive, ekziston rreziku që brezi i ri të shkëputet në heshtje nga vendlindja e prindërve të tyre, duke humbur ndjenjën e përkatësisë, dhe me të, edhe një mundësi të rrallë për ta afruar më shumë diasporën me Kosovën.

Nuk është nevoja të shpikim rrotën - shumë vende tashmë kanë ndërtuar modele të suksesshme. Azerbajxhani mobilizon të rinjtë përmes kampeve verore; Gjeorgjia krijon forume gjithëpërfshirëse me komunitetin e jashtëm; Armenia mbështet startup-et e diasporës përmes granteve; ndërsa Irlanda dhe Algjeria investojnë në edukim dhe promovim kulturor.

Këto modele dëshmojnë se lidhja emocionale me atdheun mund të përkthehet në angazhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, për sa kohë që mbështetet nga një infrastrukturë institucionale e menduar mirë dhe e zbatuar me përkushtim. Në këtë drejtim, në qendër të përpjekjeve të Kosovës duhet të jetë hartimi dhe zbatimi i një politike kombëtare për diasporën, një politikë që përcakton objektiva të qarta afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, dhe që parashikon ndërhyrje konkrete e të koordinuara përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me pjesëmarrjen aktive të vetë diasporës.

Krijimi i besimit mes shtetit dhe diasporës, i ndërtuar mbi  një analizë të thelluar të dinamikave dhe mbi objektiva të mirëpërcaktuara të angazhimit, është thelbësore për një partneritet të suksesshëm. Kjo qasje duhet të përfshijë edhe nivelin lokal, ku angazhimi i diasporës mund të integrohet në planet zhvillimore të komunave, përmes iniciativave që forcojnë lidhjen me komunitetin lokal.

Kosova ka gjithçka që i nevojitet: diasporë të përkushtuar, ide të qarta dhe potencial të jashtëzakonshëm. Ajo që mungon është vizioni politik dhe idetë e qarta për ta kthyer këtë potencial në një fuqi të vërtetë zhvillimore.

Shkruar nga: Rexhep Ahmetaj