Në hapësirat e Qendrës Tregtare 'Albi Mall' në Prishtinë, është mbajtur edicioni i dytë i "Old Timers Fest 2024", në të cilën u ekspozuan dhjetëra vetura klasike nga Kosova, rajoni dhe bota.

Veturat ishin të kategorizuara sipas vitit të prodhimit, me qëllim të promovimit të kulturës së veturave të vjetra, dhe ruajtjes së vlerave historike pavarësisht vitit të prodhimit.


Ky organizim tërhoqi vëmendjen e shumë adhuruesve të veturave të vjetra, përfshirë edhe Tosun Qafleshinin nga Dragashi, i cili kishte ardhur me një xhip amerikan të prodhuar në vitin 1975.

Ai mes emocionesh rrëfen për Telegrafin se si e ka rinovuar veturën e tij pas e kishte marrë në gjendje jo të mirë.

9e70b127 5dc9 4b7b 9b5d 7bd32bc5e471 Tosun Qafleshi, Dragash

"Ky është xhip amerikan, prodhim i vitit 1975... e pata marr nga një kushëri imi, ka qenë në gjendje të mjerueshme dhe kam filluar ta rinovojë", tha ai.

Qafleshi shpjegoi lidhjen e ngushtë që ka me këtë veturë, duke përmendur se ka shëtitur bjeshkët e Sharrit me të.

"Ne jetojmë në Sharr dhe dihet se atje ka edhe bjeshkë, edhe brirët e cjapit që i kam marr simbolizojnë vendin. Kjo veturë gjithë bjeshkët e Sharrit i ka shëtit. Ka shku në lartësi mbidetare 2,400 metra, d.m.th kam shku me të rrugë e pa rrugë".

Një tjetër adhurues i veturave të vjetra, Ismajl Shabani nga Mitrovica, erdhi në këtë organizim së bashku me Adem Kostanicën, i cili kishte sjellë një veturë të tipit Mercedes.

Shabani tregoi se Ademi që nga viti 1973 vozit vetëm Mercedes dhe i adhuron vetëm këto lloj veturash.

cfd0ebee 5557 452c 8d48 d78bfcf0a2b4 Ismajl Shabani, Mitrovicë

Vetë Kostanica tha se dashuria e tij për veturat Mercedes është rritur me kalimin e viteve.

810df4b7 668e 460f b0de e0170ac5422e Adem Kostanica, Mitrovicë

"Të gjitha llojet e Mercedesave i kam pas e deri më sot modelin prej më të rinjve. Kjo veturë është e vitit 1965 është 200 dizel. Që 10 vjet e kam këtë veturë. Të gjitha gjërat i ka origjinal", tha Kostanica duke shtuar se asnjëherë nuk do ta shiste këtë veturë.

Adhuruesi tjetër i veturave të vjetra, Ehat Oreshka nga Prizreni në këtë organizim ekspozoi veturën e tij Volvo të vitit 1966, një prodhim suedez.

fd293f1d 4379 463a b4d9 5150637c5c15 Ehat Oreshka, Prizren

"Volvo 1966 prodhim i Suedisë, e kam mbi 15 vite në pronësi këtë veturë. Këtë veturë e kam marrë në Suedi. Ka qenë në gjendje teknikisht të mirë. Mirëpo karroceria, pjesa e jashtme ka qenë e dëmtuar dhe në Prizren e kam rregulluar", tregoi Oreshka.

Adelina Çoçaj e cila është menaxhere e Marketingut Digjital në Albi Mall tregoi më shumë rreth këtij organizimi i cili po mbahet për të dytin vit me radhë.

c50b3a5f a7f4 4709 b9b2 8e11196d4a2f Adelina Çoçaj, menaxhere e Marketingut Digjital në Albi Mall

“Është hera e dytë që po organizohet një ngjarje e kësaj natyre në Albi Mall. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Old Timers Prizren, ndërkohë që këtë vit është zgjeru rrjeti i Old Timers dhe janë krijuar klube të ndryshme nga e gjithë Kosova.

E kemi edhe 'Old Timers Prishtina' që e ka debutimin e parë në këtë ngjarje” organizimi i kësaj ngjarje është shumë i rëndësishëm për arsye se shumica e veturave janë të personave që janë të pasionuar pas këtyre Old Timers...”, ka thënë ajo.

c1d4ceea 1fe4 425b 8054 a6aef83ca7da Old Timers Fest 2024

Çoçaj theksoi se Albi Mall do të vazhdojë t'i përkrahë adhuruesit e veturave të vjetra duke organizuar çdo vit edicionin 'Old Timers Fest', me qëllim që ky organizim të kthehet në një traditë të përvitshme. /Telegrafi/