OKB emëron danezin Peter N. Due si shef të ri të UNMIK-ut

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka njoftuar sot emërimin e Peter N. Due nga Danimarka si Përfaqësues i ri Special dhe Shef i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Në njoftimin e bërë publik nga UNMIK, theksohet se Due do të pasojë Caroline Ziadeh nga Libani.
Sekretari i Përgjithshëm ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e saj në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj efektive gjatë mandatit në krye të misionit.
“Due sjell me vete mbi 30 vjet përvojë të gjerë në fushën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe të Operacioneve të Paqeruajtjes. Më parë, ka qenë Drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve të Paqeruajtjes (2015–2019)”, thuhet në komunikatë.
Më herët në karrierën e tij, Due ka shërbyer si Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i Zyrës së OKB-së në Beograd (2013–2015), si dhe si Zyrtar për Çështje Politike në UNMIK në Prishtinë. Në selinë e OKB-së në Nju Jork, ai ka mbajtur disa poste drejtuese, përfshirë atë të Shefit të Kabinetit dhe Asistentit Special të Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet e Paqeruajtjes (2009–2013), si dhe drejtues i ekipeve për Afrikën Perëndimore, Evropën dhe Amerikën Latine. /Telegrafi/
















































