OEA dhe ministrja Kusari Lila diskutojnë për reformat për përmirësimin e klimës së biznesit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim pune me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në njoftimin e OEK-ut thuhet se gjatë takimit, ministrja Kusari Lila prezantoi vizionin dhe programin e Ministrisë, duke vënë theks të veçantë në prioritetet e politikave publike dhe agjendën legjislative që synon avancimin e kornizës rregullative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në Kosovë.
Në këtë kuadër, ajo veçoi projektet kryesore, përfshirë transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja mbi parimet e ekonomisë qarkore.
“Një ndër objektivat strategjikë të prezantuar ishte adresimi i deficitit tregtar, përmes mbrojtjes dhe promovimit të prodhimit vendor, përfshirë trajtimin preferencial në kontratat publike.
Po ashtu, Ministrja prezantoi ligjet prioritare që janë në proces apo në planifikim, si ligji për çmimet tavan në përgjigje ndaj situatave të krizës, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ligji për pagesat e vonuara, në përputhje me agjendën e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Diskutimet përfshinë gjithashtu ligje të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në biznes, si ligji për tregtinë e brendshme, ligji për cilësinë e derivateve dhe ligji për shoqëritë tregtare”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e AmCham theksuan disa çështje prioritare për komunitetin e biznesit. Në këtë drejtim, u kërkua rishikimi i barrës fiskale për derivatet e naftës, në funksion të reflektimit të zhvillimeve aktuale në zinxhirët e furnizimit dhe shmangies së shtrembërimeve në treg.
Po ashtu, u kërkua përfshirja në agjendën legjislative e një akti ligjor që adreson humbjet teknologjike, avullimin e mallrave dhe humbjet e tjera që ndodhin gjatë proceseve të operimit, me qëllim të rritjes së parashikueshmërisë dhe trajtimit të drejtë fiskal për bizneset.
Në njoftim thuhet se një tjetër temë e ngritur ishte nevoja për mbështetje më të fuqishme të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), veçanërisht në drejtim të zhvillimit të fuqisë punëtore dhe adresimit të hendekut të aftësive, në përputhje me kërkesat në rritje të tregut.
Ministrja njoftoi edhe për procesin e transformimit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), i cili përfshin mbështetjen për ndërmarrjet e reja, fuqizimin e grave dhe komuniteteve joshumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion. Integrimi i arsimit dual profesional u theksua gjithashtu si një komponent kyç për zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Gjatë diskutimit u trajtuan edhe zhvillimet globale dhe rajonale, përfshirë menaxhimin e krizës së naftës dhe opsionet për Kosovën, hapat drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, thjeshtimin e kornizës ligjore për sektorin minerar, si dhe nevoja për avancim në fushën e kërkimit dhe testimit të zgjidhjeve teknologjike.
Në përmbyllje, ministrja Kusari Lila theksoi rëndësinë e përgjegjësisë sociale korporative dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe konstruktiv me sektorin privat. /Telegrafi/




















































