Obiliq, mbahet tubimi përkujtimor në 26-vjetorin e rënies së dëshmorëve të familjes Rama

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor në 26-vjetorin e rënies së dëshmorëve të familjes Rama.
Gashi deklaroi se familja Rama i ka dhënë Kosovës djemtë më të mirë.
“Familja Rama, si shumë familje shqiptare, i dha Kosovës djemtë më të mirë, të cilët me heroizmin e tyre të pashoq luftuan deri në fund për të realizuar idealin e çlirimit. Agroni, Faruki e Alberti e shndërruan vatrën e shtëpisë së tyre në një bazë të sigurt të armatimit për të gjithë bashkëluftëtarët e kësaj zone, por edhe në një pikë sulmi ndaj forcave serbe, të bindur e me guxim të plotë se vetëm të bashkuar arrihet liria”, tha ai.
Pas tubimit përkujtimor, në kujtim dhe respekt për dëshmorët e familjes Rama dhe martirët e familjeve Halimi e Haliti, me homazhe nderuan sakrificën e shenjtë deri në vetëflijim për liri./Telegrafi/

















































