Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë renditen Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti e tretë me 15 mandate të fituara në Parlamentin e përbërë prej 120 deputetëve.

Ky rezultat jo i mirë për LDK-në, prodhoi si pasojë dorëheqjen e kryetarit Isa Mustafa.


Të dielën me 14 mars LDK do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm ku do të zgjidhet kryetari dhe organet tjera të partisë, njofton telegrafi.

Deri më tani kandidaturat për kryetarë të LDK-së i kanë paraqitur Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni dhe së fundmi edhe Besian Mustafa.

Neni 18 i Statutit të LDK-së thotë se Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e degës plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm.

Degët e LDK-së dërgojnë delegatë në Kuvendin e LDK-së në varësi të peshës së tyre elektorale në zgjedhjet e fundit lokale.

Në bazë të zgjedhjeve të fundit komunale që janë mbajtur në vitin 2017, shpërndarja e delegatëve që do të votojnë në Kuvendin zgjedhor të LDK-së është si më poshtë.

Prishtinë – 44 Pejë – 31 Podujevë- 29 Gjilan – 28 Ferizaj – 24 Lipjan – 20 Prizren – 18 Fushë Kosovë- 15 Suharekë – 15 Viti – 14 Istog – 13 Mitrovicë – 11 Rahovec – 10 Vushtrri – 10 Kamenicë – 9 Gjakovë – 8 Dragash – 8 Malishevë – 7 Klinë – 7 Deçan – 6 Obiliq – 5 Kaçanik – 4 Shtime – 4 Drenas – 2 Novobërdë – 2 Shtërpcë – 2 Junik – 2 Skenderaj – 1  Zhur – 1 Çabër – 1 Zubin Potok – 1 Zveqan – 1  Leposaviq – 1  Gracaniqë – 1  Kllokot – 1

Statuti i LDK-së thotë se votat për kryetar janë të fshehta, dhe zyrtarizmi i kandidaturave bëhet në ditën e Kuvendit.

Për t’u pranuar kandidaturat në fillim duhet të marrin besimin 50% + 1 votë të 355 delegatëve.

Në këtë rast një delegat mund të votojë për më shumë se një kandidatë, në mënyrë që të njëjtit t’ia mundësojë garën për kryetar./Telegrafi/