Nuk ka ndodhur për 25 vjet: Pantone shpall ngjyrën e vitit 2026 që do të pushtojë modën, dizajnin dhe enterierin

Kompania e famshme dhe autoriteti botëror për ngjyra ka shpallur ngjyrën e vitit 2026. Bëhet fjalë për “Cloud Dancer”, një emër mjaft artistik që tashmë paralajmëron fituesin e radhës
Pantone, kompania që zhvilloi sistemin e standardizimit të ngjyrave në dizajn grafik, modë, shtyp, industri dhe fusha të tjera, zyrtarisht ka publikuar zgjedhjen e saj për ngjyrën e vitit 2026.
Ngjyra Pantone për vitin 2026 është e bardha, ose siç quhet nga Instituti: Cloud Dancer (Valltarja e Reve). Nuk është krejtësisht optikisht e bardhë, por as domosdoshmërisht e ngrohtë. Pantone Color Institute e përshkruan atë si një “të bardhë valëzuese dhe të ekuilibruar”.
Ngjyra e bardhë është akromatike; teknikisht nuk konsiderohet “ngjyrë” në kuptimin spektral. Edhe pse përfaqëson mungesën e pigmentit, në kuptimin optik ajo është kombinimi i të gjitha ngjyrave të dukshme të spektrit.
Zgjedhja konsiderohet deri diku kontroverse, madje edhe për faktin se shpesh shtrohet pyetja: a është e bardha vërtet ngjyrë? Zgjedhja mbështetet në kërkime të tregut dhe në vlerësimet e studiuesve të ngjyrave në Pantone Color Institute, i cili ofron edhe shërbime të parashikimit të trendeve dhe konsulencës.
“Pantone 11-4201 Cloud Dancer është një nuancë diskrete që sjell qartësi. Kakofonia që na rrethon është bërë e rëndë dhe e bezdisshme, duke e vështirësuar dëgjimin e zërit tonë të brendshëm. Si një deklaratë e vetëdijshme e thjeshtësimit, Cloud Dancer përforcon fokusin tonë duke na liruar nga shpërqendrimet që krijojnë faktorët e jashtëm.
Argumenti është se kjo ngjyrë përfaqëson nevojën kolektive për qetësi, por a është qetësia ajo që vërtet kërkojmë sot? Fjala duket si një term i ngarkuar, ndoshta edhe i pasaktë, për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve që na rrethojnë”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e Institutit, transmeton Telegrafi.
Pantone nuk ka zgjedhur të bardhën si ngjyrë të vitit që nga viti 1999, kur nisi tradita e përzgjedhjes vjetore.
Në vitin 2016, Pantone zgjodhi quartz-in roze si një nga dy ngjyrat e vitit (ngjyra tjetër ishte bluja “Serenity”). Kjo nuancë u bë shumë e njohur më vonë me emrin Millennial Pink.
Në fakt, Pantone ndoshta nuk ishte i pari që e vuri re trendin e atëhershëm, ai tashmë ishte i pranishëm në pasarelat e Gucci e Marc Jacobs, si dhe në filma të njohur, përfshirë “The Grand Budapest Hotel” (2014).
Megjithatë, fuqia parashikuese e Pantone është zbehur nga rrjetet sociale. Instagram, TikTok dhe X kanë ndryshuar mënyrën se si publikohen dhe konsumohen trendet, duke fragmentuar ndikimin që dikur kishin korporata të tilla.
Pse zgjedhja konsiderohet politikisht e diskutueshme?
Pas më shumë se një viti përpjekjesh të administratës Trump dhe disa korporatave për të zbehur programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, deklarata “e bardha është ngjyra e vitit 2026” është interpretuar nga disa si e ngarkuar politikisht, shkruan Vanity Fair, duke theksuar një këndvështrim që disa e shohin si të tepruar, por që megjithatë ka hapur debat.
Ndërkohë, kompani të tjera parashikuese kanë zgjedhje krejt të ndryshme. WGSN ka përzgjedhur për vitin 2026 ngjyrën Transformative Teal, një përzierje fluide midis blusë së errët të besueshme dhe të gjelbër ujore. Kjo ngjyrë paraqitet si simbol i një periudhe ndryshimi, që ofron një “ndjesi freskie, qetësie dhe rinovimi”. Ka edhe parashikime të tjera që theksojnë tonet e gjelbra si ngjyrat dominonte të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/
















































