Nuk jam mysliman, gjysma ime më e mirë është myslimane: Besimi nuk dobësohet nga prania e besimit tjetër, por hapet prej tij

Fjalimi në Parlamentin e Izraelit, në sesionin special si i ftuar nderi
Ende nuk jam plotësisht i sigurt se jam vërtetë duke qëndruar pikërisht mbi dyshemenë nën këmbët e mia, dyshemeja prej ku mysafirët më të nderuar të këtij shteti i janë drejtuar kësaj Dhome. Dhe, ndonëse modestia nuk ka qenë kurrë virtyti im më i palëkundshëm, më duhet ta them që e kam të vështirë të besoj se e meritoj një vlerësim kaq të jashtëzakonshëm.
Por, jam plotësisht i sigurt se Shqipëria, të cilën e përfaqësoj me krenari, dhe populli im, që i qëndroi si pakkush tjetër pranë popullit hebre, e meritojnë me të vërtetë çdo respekt nga shteti i Izraelit. Ashtu siç e meritonin edhe Medaljen e rrallë Presidenciale të Nderit, që Shkëlqesia e Tij, presidenti Herzog, mik fisnik dhe besnik i Shqipërisë, akordoi për mua.
“Paqja dhe mëshira e Zotit të Plotfuqishëm qofshin mbi ju dhe paqja qoftë për të gjithë ne, me dëshirën e Zotit”.
Këto ishin fjalët me të cilat një far njerëzor i kurajos dhe pajtimit, një udhëheqës jeta dhe vdekja e të cilit u shenjuan nga ndjekja e pandërprerë e paqes, presidenti Anwar Sadat i Egjiptit, i bekuar qoftë kujtimi i tij, hapi pikërisht nga ky vend fjalimin e vet historik përpara Knesetit [Parlamentit].
Ai vazhdoi:
“Paqe për të gjithë ne në tokat arabe dhe në Izrael, dhe në çdo cep të këtij globi të gjerë, kaq të rënduar nga konflikte të përgjakshme, të copëtuar nga kundërshti të mprehta dhe të kërcënuar herë pas here nga luftëra shkatërrimtare, të nisura nga njeriu për të asgjësuar njeriun tjetër. Sepse mes rrënojave të atyre që ka ndërtuar njerëzimi dhe mbetjeve të viktimave të tij, nuk ka as fitues dhe as të mundur. I vetmi i mundur është njeriu, krijesa më sublime e Zotit”.
Fjalë të thëna nën këtë çati, të dala nga zemra e një gjenerali të rritur në luftëra, i cili, pasi bëri edhe luftën e tij, tronditi botën duke e udhëhequr vendin e vet drejt një marrëveshjeje paqeje me Izraelin.
Gati gjysmë shekulli më vonë, ato tingëllojnë me të njëjtën forcë dhe me të njëjtën urgjencë si në ditën kur u shqiptuan për herë të parë.
I nderuar Zoti President,
Zoti Kryetar i Kuvendit,
Zoti Kryeministër,
Zoti Kryetar i Opozitës,
zonja dhe zotërinj deputetë të Knesetit,
Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të nisur fjalimin tim dhe për të qetësuar frymëmarrjen prej emocionit te thelle që e dija se do më pushtonte në këtë vend të veçantë.
Dhe, për të qenë plotësisht i sinqertë me ju, e dija gjithashtu se kur të flisja këtu do të ndihesha si në një provim oratorie, duke pasur përballë një nga pesë oratorët më të mirë në botë, të paktën sipas renditjes sime personale - kryeministrin Netanyahu.
Do të bëj çmos, i dashur Bibi, t’i mbijetoj gjykimin tënd, plotësisht i vetëdijshëm se jam thjesht folësi i dytë në botë pas presidentit Trump, të cilit ti thjesht nuk mund t’i shmangesh pa e dëgjuar.
Më lejoni tani, me një frymëmarrje më të qetë, t’i shpreh presidentit të shtetit të Izraelit vlerësimin tim më të lartë për praninë e tij domethënëse, kryeministrit dhe udhëheqësit të opozitës respektin tim më të thellë dhe falënderimet më të përzemërta për fjalët që bujarisht ndanë për Shqipërinë dhe për mua, dhe kësaj Dhome mirënjohjen time të madhe për mikpritjen që më bëri sot.
Ju faleminderit të gjithëve. Nuk mund të jem më mirënjohës se kaq.
Dhe, duke u kthyer te fjala ime dhe zgjedhja për t’u prezantuar përmes fjalëve të një udhëheqësi të madh arab, më lejoni të shtoj diçka personale, sepse kam mësuar se mes hebrenjve gjithçka bëhet personale mjaft shpejt.
Unë nuk jam mysliman. Gjysma ime më e mirë është myslimane. Unë jam katolik. Dy fëmijët tanë më të rritur, nga kapituj të mëparshëm të jetës sonë janë të krishterë ortodoksë. Dhe, më i vogli, djali ynë njëmbëdhjetëvjeçar, do të vendosë vetë një ditë, por duke parë entuziazmin e tij të papërmbajtshëm sa herë i thuhet se mund të lemë dëshirat te Muri i Lotëve, ideja se një ditë ai mund të zgjedhë të bëhet hebre nuk është aspak e pabesueshme. Për ne do të ishte krejt në rregull, njësoj siç do të ishte fare në rregull nëse do të zgjidhte të ishte mysliman apo i krishterë.
Megjithatë, mos u gaboni. Ky portret i vogël familjar nuk është një veçanti ekscentrike.
Është, në të vërtetë, një histori normale shqiptare. E njëjta gjë vlen për katër komunitetet tona tradicionale fetare, të cilat festojnë ditët e rëndësishme të njëri-tjetrit, dhe për krerët e tyre të cilët mblidhen rregullisht, ashtu siç u mblodhën për të shoqëruar presidentin Herzog kur ai vendosi një kurorë në memorialin tonë të Holokaustit në Tiranë, gjatë vizitës së tij historike, si kreu i parë i shtetit izraelit që ka zbritur në tokën e Shqipërisë.
Është një shpirt i farkëtuar përgjatë shekuj vështirësish, pushtimesh dhe varfërie.
Ishte i njëjti shpirt që i nxori shqiptarët e të gjitha besimeve në rrugë, për të pritur dhe përshëndetur Papa Françeskun kur ai vizitoi vendin tonë dhe, me zërin e tij magjepsës dhe shenjtëror, e korrigjoi termin që ne përdorim shpesh. Jo, tha Ati i Shenjtë, kjo nuk është tolerancë fetare. Kjo është vëllazëri fetare, sepse nuk mbështetet te durimi, por te bindja e qetë se besimi nuk dobësohet nga prania e një besimi tjetër, por hapet prej tij.
Atij shpirti, ne ia detyrojmë krenarinë e njërit prej nderimeve me të mëdha morale: shtatëdhjetë e tre shqiptarë të të gjitha besimeve të njohur si Të Drejtë midis Kombeve, kujtimi i të cilëve ndriçon brenda mureve të dinjitetit njerëzor në Jad Vashem.
Dhe, me po këtë krenari, së shpejti do të hapim muzeun tonë të parë, kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në qytetin e Vlorës; dikur qyteti më i madh mesjetar i Shqipërisë, ku në shekullin e gjashtëmbëdhjetë hebrenjtë që iknin nga persekutimi në Perëndim përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë.
Të rinjtë tanë dhe vizitorët e shumtë nga e gjithë bota që vijnë në vendin tonë të bukur, ku numri i turistëve që erdhën nga Izraeli vitin e kaluar u rrit më shpejt se nga çdo vend tjetër, do të shohin atje me sytë e tyre dhe do të dëgjojnë me veshët e tyre se si qysh shumë përpara kohës sonë, Shqipëria e vogël ka qenë gjithmonë një strehë e sigurt për hebrenjtë, dhe se si shqiptarët e zakonshëm e bënë këtë vend shumë të vogël, të vetmin në hartën e Evropës që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte kur hyri në të.
Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët.
Askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia e neveritshme ndaj Zotit.
Dhe, nuk ka nder më të madh, as përgjegjësi më të rëndë, sesa ta dëshmosh këtë të vërtetë këtu, në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gazë, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshme, izraelite dhe palestineze, ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.
Nuk ka dyshim se një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet edhe me faktin se vij këtu, pak ditë pasi Parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar presidentit Trump në përpjekjet e tij për paqe dhe zgjidhje konfliktesh, dhe për ta bërë Shqipërinë anëtare themeluese të Bordit të tij të Paqes, ku do kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese dhe begatie për popullin e Gazës.
Më lejoni t’ju çoj për një çast larg Jerusalemit, në qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranë.
Në zemrën e saj ndodhet një tunel.
Ai u ndërtua për të torturuar te ashtuquajtur armiq te popullit dhe për t’i bërë ballë një sulmi nga Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Sovjetik; paranojë e derdhur në beton nga një regjim që kishte frikë çdo rreze lirie dhe e mbante popullin e vet peng në një burg në qiell të hapur. Kjo kujtesë e gjallë më ka bërë gjithmonë të ndiej keqardhje për figura apo organizata ndërkombëtare të respektuara dhe me qëllime të mira, që me të drejtë e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur, por kane dështuar të identifikojnë autorin e vërtetë të burgosjes se popullit të Gazës.
Ata ngatërruan gishtin me çka gishti tregonte dhe kësisoj dështuan të kuptojnë se burgosësi i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit: ideologjia e tij e terrorit kundër popullit të vet dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa Shteti i Izraelit të asgjësohet dhe hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë. Prandaj, derisa Hamasi të çmontohet plotësisht, dy milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë vërtet të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jete do të jetë e gjatë.
Sot, ai tuneli në Tiranë është shndërruar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht. Dhe, uroj me gjithë zemër që disa nga tunelet e panumërt të terrorit që Hamasi ndërtoi, ku pengjet e rrëmbyera më 7 tetor u vranë, u përdhunuan, u torturuan dhe u reduktuan në kopje njerëzore të shekullit XXI të të burgosurve në kampet naziste të shfarosjes, të ruhen si pjesë e planit të ri të rindërtimit të Gazës dhe më pas si dëshmi përcaktuese në favor të paqes së qëndrueshme mes dy shteteve.
Ato duhet të qëndrojnë si tunele të kujtesës kolektive dhe të shërimit te përbashkët, ku si vuajtja prej ferri e pengjeve, ashtu edhe humbja e madhe e jetës palestineze, te shndërruara ne lëndë e parë trupash njerëzorë për sistemin më djallëzor mbrojtës të ndërtuar ndonjëherë, të shërbejnë si qirinj të ndezur përjetësisht të faljes pa harrim dhe si thirrje e përhershme për të gjithë, që tmerre të tilla të mos ndodhin më kurrë.
Teksa zbret shkallët e tunelit të Tiranës, një fjali me dritë neoni nga Primo Levi të vështron: Ata që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta rijetojnë atë.
Ne e gdhendëm këtë emër kaq të njohur në dritë mbi mur dhe unë e shqiptova këtu jo për të krijuar ndonjë paralelizëm të pamundur mes shfarosjes industriale të popullit hebre, një krim i pashembullt në historinë e njerëzimit, dhe vuajtjeve tragjike të shkaktuara nga regjimi ynë brutal komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm të shpallur “armiq të popullit”.
E sjell Primo Levin bashkë me tunelin tonë të kujtesës për t’ju siguruar se ne shqiptarët e njohim dhimbjen e plagëve të rënda të historisë, dhe për t’i siguruar ata që kanë një këndvështrim shumë të ndryshëm nga i imi mbi Gazën si një burg në qiell të hapur, se ne shqiptarët kemi mësuar, në mënyra të vështira për t’u imagjinuar, çfarë ndodh kur ideologjia bëhet zot, kur shteti bëhet altar, dhe kur njerëzit shndërrohen në kope për t’u shfrytëzuar ose në individë të shkatërruar për të mbjellë frikë.
Ekziston një histori e thellë që i lidh popujt tanë.
Kapitulli kulmor, natyrisht, është koha e errët e Holokaustit.
Por, trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përtej shekujve: hebrenj që mbërritën në brigjet tona pas shkatërrimit të Tempullit, sefardë që ikën nga Rekonkuista, familje hebreje që gjetën strehë në tokën tonë herë pas here, sa herë Evropa zhytej sërish në një nga impulset e saj më të vjetra dhe më të errëta: urrejtja ndaj hebrenjve.
Në vitet 1930, një hebre amerikan i dërguar si pjesë e një misioni vëzhgimi, Leo Eton, shkroi në një raport drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria spikaste në Evropë, duke e dokumentuar vendin tonë si vendvendosje e mundshme për hebrenjtë që iknin nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Ai vuri në dukje se pluralizmi fetar në Shqipëri funksiononte praktikisht, jo simbolikisht: myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe hebrenjtë jetonin brenda një kuadri ku feja nuk përcaktonte besimin mes qytetareve, dhe Shqipëria mund të konsiderohej si një vend i përshtatshëm për vendstrehim hebre, ku nuk ekzistonin barriera ligjore apo shoqërore për jetën hebreje.
Pikërisht në ato vite, ndërsa antisemitizmi po rritej në mbarë Evropën, Shqipëria shkoi aq larg sa të njihte respektimin e Shabatit si një të drejtë njerëzore të komunitetit hebre, duke u bërë një vend i veçantë në anën tonë të botës që lidhi ligjërisht si punëdhënësit publikë ashtu edhe ata privatë me detyrimin për ta respektuar atë të drejtë.
Dhe, gjatë Holokaustit, kur i dërguari nazist Hermann Neubacher kërkoi lista të hebrenjve dhe arin e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën me një fjali që meriton të gdhendet në gur: Mund ta merrni arin. Jo hebrenjtë.
Ari ishte i tyre për ta marrë. Hebrenjtë ishin tanët për t’i mbrojtur.
Kjo nuk është legjendë. Kjo është Shqipëria, ku hebrenjtë nuk iu fshehën shoqërisë. Ata u fshehën nga shoqëria.
Dhe, nëse doni shpjegimin e kësaj mrekullie, nuk ju duhet një teori politike apo një rabin, ndonëse e di që rabinët dinë t’i shpjegojnë gjërat më të vështira me fjalët më të thjeshta dhe madje të parashikojnë mrekullitë.
Por, jo, ju duhet vetëm një fjali nga ligji ynë i parë i shkruar në Mesjetë, Kanuni, kodi shqiptar i nderit: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Jo thjesht mikut që ti fton, por mikut që të troket në derë, të huajit që ka nevojë për ndihmë. Tradhtia ndaj atij miku është një krim i pafalshëm. Ajo njollos emrin tënd me turp dhe të përjashton nga jeta e komunitetit.
Më mirë të vdesësh sesa të dorëzosh mikun tënd. Dhe, meqenëse hebrenjtë ishin mysafirët e Shqipërisë kur makineria më e frikshme e vdekjes që njerëzimi ka krijuar ndonjëherë mbërriti në tokën tonë, për shqiptarët, dhe mbi të gjitha për shqiptarët myslimanë që atëherë përbënin shumicën dërrmuese, zgjedhja ishte brutalisht e thjeshtë: më mirë të vdesim sesa të dorëzojmë hebrenjtë tanë.
Ky kapitull i ndritur i historisë shqiptare mbart një mesazh me rëndësi të ngutshme për botën e sotme, e cila duhet të kujtohet vazhdimisht për atë që Hannah Arendt na mësoi me qartësi të pamëshirshme. E keqja shpesh nuk është demoniake apo spektakolare, por e zakonshme deri në rrezikun e të qenit e tillë. Ajo është thjesht banale.
Tragjedia e Holokaustit nuk ishte vetëm mizoria e pak vetëve, por pasiviteti i shumëkujt. Por, në një vend të vogël, vendin tonë, ndodhi e kundërta. Populli ynë ishte i varfër, pa pushtet, pa ushtri apo kufij strategjikë. Por, zotëronte diçka pafundësisht më të çmuar për atë moment të historisë: aftësinë për të parë një fytyrë njerëzore dhe për të njohur në të një detyrim moral.
Kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj te autoritetet, shqiptarët i dorëzonin ata në siguri. Kur nënshtrimi u bë aleati i heshtur i së keqes, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë.
Dhe, duke bërë këtë, ata e mbajtën njerëzor një cep të Evropës, në një kohë kur njerëzorja po zhdukej dita ditës.
Kjo histori nuk është një dekor për të mbresuar të tjerët. Është një busull që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na është dhënë nga i njëjti Zot, dhe për të bërë diçka të denjë me atë dhuratë në këtë tokë, që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk patëm guximin ta përballim sot ose nuk e nxorëm mësim nga dje.
Prandaj, Shqipëria ishte ndër vendet e para në Evropë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetë shqiptare për të shpëtuar jetë hebreje.
Por, kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin.
Dhe, jo njerëzimin si një fjalë abstrakte, po me njerëzillëkun tonë.
Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh.
Nuk ishte pa rrezik për ne, dhe nuk është as sot. Të mbetesh njerëzor kur njerëzillëku yt vihet nën presion nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe, pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale. Ne i rezistuam. Ata nuk ia dolën.
Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por, ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën homeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa homeinizmi është urrejtje dhe vdekje.
Dhe, siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, gjatë kaosit qe krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit.
Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë.
Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si një uragan. Dhe, nuk ishte qeveria e ShBA-së që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu Aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri.
Ju siguroj se nuk jam këtu, larg qoftë, për t’i dhënë leksione kujt. Jo vetëm sepse vende të vogla si i imi nuk japin leksione, por marrin leksione gjatë gjithë kohës, por edhe sepse besoj se ata që i japin leksione Izraelit nga larg, rrezikojnë seriozisht të jenë jo vetëm të padrejtpeshuar, por thelbësisht të padrejtë.
Megjithatë, besoj fort se kërkimi i paqes nuk ka të bëjë kurrë me sa e keqe apo jo e besueshme ka qenë ana tjetër, por me sa besnik zgjedh të mbetesh ndaj vlerave të tua.
Marrëveshja mahnitëse e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në të cilën një udhëheqës botëror i një lloji të rrallë si Sheikh Mohammed bin Zayed theu epoka të gjata konflikti dhe i mësoi botës me shembull se, nëse kujtojmë se Zoti është në anën tonë po gjithashtu në anën e tjetrit, dhe jemi mjaftueshëm të guximshëm për të kuptuar se nën syrin e qiellit jemi të gjithë në të njëjtën anë të paqes, atëherë paqja nuk është thjesht një rrugë e mundshme drejt së ardhmes, por e vetmja rrugë e mundshme e së ardhmes.
Më shumë se kaq, besoj fort se ajo që e bën unike këtë dritare të re mundësie është momenti i Firences në Lindjen e Mesme. Ajo që po ndodh këtu pranë në rajonin tuaj ngjan, në sytë e mi, me atë që ndodhi në Evropë kur udhëheqje vizionare, të frymëzuara nga moderniteti dhe bukuria, e shndërruan Firencen në djepin e Rilindjes.
Izraeli nuk është më i vetëm në kërkimin e transformimit, inovacionit dhe lidershipit global të së ardhmes në këtë pjesë të botës.
Nga rrugët e Riadit te oazat e gjelbra të Abu Dabit dhe brigjet plot jetë të Dohas, ndihet një erë magjepsëse ndryshimi që ka pak të bëjë me karikaturën e vjetër të spektaklit të ngjyer me ar në shkretëtirë. Arabia Saudite, nën udhëheqjen e saj të re, të vendosur dhe vizionare, tiparet e së cilës kujtojnë Lorencon e Madhërishëm të Firences, po ndryshon me një shpejtësi marramendëse. Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendosur në pararojë të lidershipit global në axhendën e gjelbër dhe atë të përgjegjësisë sociale përtej kufijve, gjuhëve, ngjyrave të lëkurës. Ndërsa, Katari, i udhëhequr për më shumë se një dekadë nga emiri i tij i ri dhe largpamës, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në skenën botërore dhe, falë edhe një gruaje aktive, motrës së tij, Sheikha Al Mayassa, po shndërrohet në një laborator të madh të transformimit urban dhe të stilit të jetesës së nje rruge te re.
Emëruesi i përbashkët sot mes fqinjëve tuaj arabë është një shtysë për modernizim në çdo drejtim dhe për zbukurim në çdo hap, dhe së bashku ata po e bëjnë këndin e vjetër dhe të mrekullueshëm të lojërave të Evropës të duket papritur i zymtë dhe i zbehtë.
Si mund të bashkëjetojë kjo histori e jashtëzakonshme e një të ardhmeje të ndritur, e shkruar me fuqinë e çliruar të shpresave dhe ëndrrave në shkretëtirë, me plagën e madhe të hapur të një konflikti që ka sjellë vuajtje dhe shkatërrim kaq të zgjatur, një plagë që ende qëndron në zemër të Lindjes së Mesme si një kurth i aftë të përpijë në errësirën e vet gjithë madhështinë që po ndërtohet përreth?
Është e pamundur të rrinë që të dyja bashke, për një kohë të gjatë.
Ndoshta duke e parë të kaluarën e përgjakshme me sytë e një të ardhmeje të ndritshme, dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç ka ndodhur tanimë me Emiratet e ndonjë tjetër, të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngrejë pothuajse si një mrekulli lart ne hapësirën e besimeve abrahamike, të gjitha vendet paqebërëse.
Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe apo Turqinë, ndër miqtë e saj të ngushtë. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gazë.
Kohës bujare që më keni lejuar për të zënë këtë vend kaq të veçantë po i vjen tani fundit. Dhe, ashtu siç e hapa fjalimin me fjalët e një martiri arab të paqes drejtuar kësaj Dhome, më lejoni ta mbyll me fjalët e një martiri hebre të paqes, kryeministrit Yitzhak Rabin të Izraelit, i bekuar qoftë kujtimi i tij, të thëna për izraelitët dhe palestinezët pikërisht tridhjetë vjet më parë nga ky vend ku qëndroj sot:
“Nga thellësia e zemrave tona, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shtetit të Izraelit, sigurisht atyre që jetojnë në Jude, Samari dhe Rripin e Gazës, si edhe banorëve palestinezë, t’i japin paqes një shans, t’i japin fund akteve të armiqësisë një shans, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re. U bëjmë thirrje hebrenjve dhe palestinezëve njësoj të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë dinjitetin njerëzor, të sillen në mënyrë të denjë dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne po nisim një rrugë të re që mund të na çojë drejt një epoke paqeje, drejt përfundimit të luftërave”.
Amen.
I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan.
Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden.
Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht.
Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre.
Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, po të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë jo vetëm nga historia, por edhe nga një përkushtim i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor.
Todá rabá [faleminderit]
- YouTube www.youtube.com



















































