Studenti i Fakultetit të Mjekësisë, 23 vjeçari-Leutrim Gjini nga komuna e Suharekës, nuk ka arritur dje ta përfundoj provimin që kishte në lëndën e Gjinekologjisë, pasi që i njëjti pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Myrvete Paçarada. Paçarada ka treguar se si ka ndodhur rasti, ndërkaq ka thënë se Leutrimi ka qenë një student i shkëlqyer.


"Dje kanë hy në provim, dhe Leutrimi ka hyrë në pjesën praktike të provimit të cilën e ka kaluar, pasi ka dalë nga asistentja e lëndës e cila e ka kryer provimin në pjesën praktike, Leutrimit i kanë thënë se duhet me u ngjit lartë tek profesoresha mu pyet me gojë. Ai deri sa ka qenë duke ju treguar kolegëve se e ka kaluar pjesën praktike është rrëzuar në tokë", ka thënë Paçarada.

Ajo ka thënë se Leutrimi besohet të ketë pasur edhe më herët probleme me zemër.

42449520 10212554630925704 2536033366285746176 n

Ndërkaq në rrjetin social Facebook, doktori Leonard Bytyqi ka shkruar se Leutrimi i është nënshtruar një operacioni i cili ka zgjatur 10 orë, por nuk ia doli të mbijetonte.

"Është shumë e vështirë, t’i thuash lamtumirë një djaloshi 23 vjecar L.Gjini, dikuj që do të bëhej shpejt kolegu ynë, e të përshëndetesh në të tillë mënyrë, mes lotësh dhe gjakut. 10 orë përpjekje, 10 orë operim, 10 orë luftë , një ushtri e madhe e Kardiokirurgjisë dhe jo vetëm, kundër natyrës, për ta kthyer sërish atë zemër të re në jetë. Kësaj radhe, e pamundura s’u bë dot e mundur. Për ne është humbje shumë e madhe, e dhimbshme, për mu është kujdestaria më e mërzitshme, deri më sot. Ngushëllime për familjarët dhe të gjithë tjerët, zoti e mëshiroftë, këtë engjëll, që fati ia ktheu shpinën. Me pikëllim të thellë: Dr Leo Kardiokirurgji. ", ka shkruar Bytyqi. /Telegrafi/