Martin Shkreli, sipërmarrësi me origjinë shqiptare i farmaceutikës që u bë i famshëm pasi rriti çmimin e një ilaçi, që mund të shpëtonte shumë jetë me 5.000 për qind, u shfaq të hënën para një gjykate në Brooklyn, për atë që prokurorët amerikanë e kanë cilësuar një skemë piramidale në kompaninë dhe fondin e besimit që ai kryesonte dikur.

Prokurorët e akuzojnë Shkrelin se ka gënjyer investitorët në fondin e besimit dhe ka përvetësuar miliona dollarë asete nga kompania biofarmaceutike “Retrofin” për t’i ripaguar ata. Vetë Shkreli deklarohet i pafajshëm.

Gjyqi pritet të zgjasë nga 4 deri në 6 javë. Shkreli, 34-vjeçar, zemëroi pacientët dhe ligjvënësit amerikanë duke rritur çmimin e ilaçit “Daraprim” në 750 dollarë për një pilulë, nga 13.50 dollarë në vitin 2015, kur ishte shef ekzekutiv i “Turing Farmaceuticals”.

Akuzat që çuan në arrestimin e tij në dhjetor të vitit 2015 nuk janë të lidhura me “Turing”, por fokusohen te drejtimi i “Retrofin” dhe fondit të besimit “MSMB Capital Management” mes viteve 2009-2012, transmeton tch.

Sipas prokurorëve, Shkreli ka gënjyer për financat e fondit për të tërhequr investitorë dhe u ka shkaktuar humbje shkatërrimtare atyre. Ata thonë se ai i kishte ripaguar investitorët me parà të vjedhura nga “Retrofin”, kompani që ai e themeloi në vitin 2011.