"Njëri prej atyre që kontribuoi fort në sukseset tona historike" - Nderim Nexhipi kthehet te Ballkani si drejtor sportiv

Ballkani ka konfirmuar zyrtarisht të martën rikthimin e Nderim Nexhipit si drejtor sportiv pas largimit të Omer Bunjakut.
Në një njoftim përmes faqes zyrtare në Facebook, Ballkani ka bërë të ditur se Nexhipi po kthehet për të vazhduar sukseset historike të klubit.
Me Nexhipin në rolin e drejtorit sportiv, Ballkani ka shënuar rekorde të rëndësishme: dy herë pjesëmarrës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, tre tituj kampioni të Kosovës dhe një fitore në Kupën e Kosovës. Ai gjithashtu ka kontribuar në transferimin e disa lojtarëve në klube të njohura evropiane.
“Të dashur tifozë dhe gjithë ju përkrahës të FC Ballkanit, kemi kënaqësinë që para jush ta prezantojmë njërin prej atyre që kontribuoi fort në fillimin e vazhdimin e sukseseve tona historike".
"Ai gjithmonë ka qenë dhe mbetet njëri prej nesh, por tani rikthehet përsëri në fole për ta rimarrë pozicionin e drejtorit sportiv në klub dhe për të shkruar etapa të reja së bashku. Mirë se rikthehesh Nderim Nexhipi! Na priftë e mbara, kampion!”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Suhareka.
Në këtë sezon, Ballkani e përfundoi në vendin e dytë dhe u eliminua herët nga Kupa e Kosovës. Megjithatë, klubi do ta nisë edicionin e ardhshëm evropian në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. /Telegrafi/



















































