Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se edhe studentët do të përfitojnë nga kjo shumë.
“Studentët do t’i përkrahim me shumë të menjëhershme prej 100 euro, ku do të përfitojnë 80 mijë studentë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se vlera totale e kësaj përkrahje është mbi 100 milionë euro.
“Vlera totale e të gjitha këtyre është mbi 100 milionë euro. Nga këto masa do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës”, theksoi ai.
Po ashtu, ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati është shprehur se kategoria e parë e cila do të përfitojë menjëherë shtesën do të jenë pensionistët.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë pagat në sektorin publik për të cilat kemi të dhëna që do të shpërndahen në fund të muajit, edhe mbështetja për asistencën sociale do të shpërndahet sipas afatit të rregullt”, u shpreh Murati.
Ministri theksoi se për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për të përfituar shtesën prej 100 eurove.
“Për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit meqenëse për ta nuk kemi të dhëna të llogarive bankare për ti ndarë këto mjete”, ka theksuar ai.
Reagimet e opozitës, shoqërisë civile dhe bizneseve
Lidhur me vendimin për ndarjen e kësaj shtese nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike ka reaguar edhe opozita, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të bizneseve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka hedhur një varg kritikash ndaj Kurtit, duke thënë se popullizmi varfëron vendin.
“Mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm. Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”, thuhet në reagimin e Abdixhikun
I pari i LDK-së e ka quajtur të padrejtë këtë politikë sociale të Kurtit, sipas të cilit nuk do të ketë efekt, duke shtuar se kjo mund të mirëpritet nga njerëzit që janë në hall, por sipas tij këto politika dëmtojnë projektet madhore e zhvillimore në vend.
Ndërsa, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Berndard Nikaj e ka cilësuar si “të paaftë” për të qeverisur Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pas vendimit për ndarjen e kësaj shtese.
“Krejt çfarë po bën Kryeministri Albin Kurti është ajo që ai di ta bëjë më së miri, e që është popullizmi. Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100 për qind qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrolloj rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, qeveria e nisi sot ditën me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës përmes një lëmoshe as më shumë dhe as më pak se në vlerën 100 euro”, është shprehur Nikaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ndarja e 100 eurove shtesë është një lloj mashtrimi.
“Kurti nuk po dëshmon se ka një plan të mëtejmë. Ai dëshiron t’i mbajë paratë në buxhet dhe kohë pas kohe po i kthen në njëburimore, por që nuk e ndryshon inflacionin. Minimum duhet të shkohet në rritjen e pagave dhe skemave pensionale nga 30-50 për qind, ndryshe nuk zgjidhen problemet”, tha Haradinaj.
Për më tepër, ai ka thënë se Qeveria Kurti po dëshiron qytetarët t’i mbajë të varur nga “pakoja e tij e herëpashershme”.
Drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ka kritikuar vendimin për ndarjen e 100 euroshit ka pyetur se nëse Qeveria ka për synim t’i ndihmoj grupet e cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, atëherë përse të futen me një thes edhe ata që kanë paga të larta.
“E pse? Nuk zmbrapsen kërkesat populliste për paga e pensione, duke marr vendime po aq populliste. Nëse Qeveria ka synim t’iu ndihmoj grupeve të cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i fut të gjithë me një thes? Pse me i marr 100 euro si ata 2 për qind e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale? Përse me marr subvencionim të njëjtë si studentët që banojnë në konvikte, si studentët që shkojnë në ligjërata me Range Rover? Përse këto së paku 70 milionë euro që do ju ndahen në prill të gjithëve, nuk shkojnë në projekte zhvillimore që munden të garantojnë punësim të qëndrueshëm ose me për të synuar atë 20 për qind të popullsisë që jeton në varfëri, apo me më pak 1.85 euro në ditë?”, ka pyetur Demi.
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) propozon që vlera e prezantuar nga Qeveria për të gjitha kategoritë të jepet në formën e kuponëve – bonove dhe të njëjtat të shfrytëzohen për blerje të produkteve vendore në markete.
“Kështu do të kontribuohet në mënyrë zinxhirore duke i dhënë një përkrahje prodhuesve vendor dhe ruajtjen e rritjen e të punësuarve duke e marrë parasysh gjendjen shumë të rëndë në punësim dhe kërkesa për tu larguar nga vendi. OAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të merret parasysh ky rekomandim, në mënyrë që të tejkalohet më lehtë situata e krijuar dhe të ndihmohet ekonomia e vendit nga një kolaps potencial duke i parë çdo ditë vështirësitë që po i hasin bizneset nga situata e krijuar në botë”, thuhet në reagimin OAK-ut.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar nga Qeveria që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet, por të realizohet në mënyrë që të rritet mirëqenia ekonomike dhe sociale e punëtorëve.
“Mbështetja financiare është e mirë e çfarëdoqofshme qoftë ajo, po Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që hartimi i projektligjeve, dhe miratimi, dhe plotësim-ndryshimi i ligjeve të veçanta për jetën e të punësuarve të ecin dhe të rregullojnë fushat përkatëse asisoj që të mos ketë hapësirë e as nevojë të kërkohet që të ndodhë ndryshe”, thekson BSPK.
Kjo pako do të aplikohet gjatë muajit prill dhe nga e njëjta do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht çdo familje në vend. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
Rezervo tani, përfito çmime speciale për udhëtime gjatë fundvitit nga Gjeneva drejt Prishtinës!
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
PostCHAT ju pret!
Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje