LAJMI I FUNDIT:

Një vit nga themelimi i PSD-së, Mushkolaj: VV nuk po lejon PSD-në që të lirohet nga barra e ndarjes

Një vit nga themelimi i PSD-së, Mushkolaj: VV nuk po lejon PSD-në që të lirohet nga barra e ndarjes

Të enjten më 9 maj, bëhet një vit prej kur në krye të Partisë Socialdemokrate erdhi Shpend Ahmeti, kryetar i tashëm i Prishtinës, e bashkë më të edhe 12 ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin dorëhequr më parë nga ky subjekt.

Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Dardan Molliqaj, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Salih Saliu, Frashër Krasniqi, dhe Shqipe Pantina morën vendim që fillimisht të formonin një grup të ri parlamentar i cili u quajt “Grupi i Deputetëve të Pavarur”.


Nën emrin e këtij grupi, deputetët tashmë të pavarur funksionuan më pak se dy muaj, pasi që ata vendosën të bashkohen në PSD, parti kjo që ka qenë e regjistruar edhe para lufte në Kosovë, e së fundi kryetarë të saj kanë qenë Agim Çeku e Kaqusha Jashari.

Drejtimin e kësaj partie ata vendosën ta zyrtarizojnë më 9 maj 2018, pikërisht në Ditën e Evropës. Në atë ditë përveç zyrtarizimit të tyre në krye të partisë u zgjodh lidershipi dhe strukturat e reja partiake.

Shpend Ahmeti kryetar, këta janë udhëheqësit tjerë të PSD-së
Lexo po ashtu Shpend Ahmeti kryetar, këta janë udhëheqësit tjerë të PSD-së

Shpend Ahmeti i cili është edhe kryetar i Prishtinës, u zgjodh kryetar i PSD-së, nënkryetar u zgjodh Visar Ymeri dhe sekretare e përgjithshme, Aida Dërguti.

Gjatë kësaj periudhe të punës një vjeçare, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me Vetëvendosjen, PSD ka punuar në teren për organizimin dhe prezantimin e saj si subjekt i ri politik.

Kështu ka vlerësuar edhe analisti Imer Mushkolaj. Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin, ka deklaruar se PSD vazhdon të përballet ende me barrën e ndarjes nga Vetëvendosje.

“Ka qenë një periudhë sfiduese për këtë parti, për shkak se nuk është e lehtë të fillosh organizimin e një subjekti të ri, aq më tepër kur e ki ngarkesën dhe barrën e ndarjes nga një subjekt paraprak. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë më e vështira për PSD-në për shkak se ende nuk i’a kanë arrit që të lirohen nga barra e ndarjes nga VV-ja, jo se nuk po dëshiron PSD-ja por për shkak se Vetëvendosje nuk po e lejon duke vazhduar me qasjen destruktive që ka ndaj këtij subjekti”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje ende nuk e ka kuptuar se ka gjithçka ka përfunduar dhe se rrugët janë ndarë .

“Ata vazhdojnë që ti kenë në shënjestër zyrtarët e PSD-së madje ma shumë se zyrtarët e cilësdo parti tjetër. Gjithë ky vit PSD i ka shkuar duke u organizua nëpër teren, duke provuar që të prezantohet si subjekt i ri me një qasje krejt të re, me një program të ri që nuk ka fare të bëjmë me atë se çfarë zyrtarët e saj kanë qenë më parë nuk ka të bëjë fare me VV-në”, ka shtuar Mushkolaj.

Duke parë iniciativat në Kuvendin e Kosovës, që ka ndërmarrë Grupi Parlamentar i PSD-së, Mushkolaj ka thënë se ato kanë qenë propozime konkrete që kanë ndikuar direkt në jetën e qytetarëve.

“Janë shquar shumë me iniciativa dhe propozime konkrete që i kanë qua përpara, dhe propozime që prekin jetën e qytetarëve , nuk janë marrë shumë me folklorizma e patriotizma të rrejshëm, nëse i shohim disa prej gjërave shumë të mira që i kanë bo në Parlament e që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, ato kanë ardhur prej iniciativave nga ana e PSD-së”, tha Mushkolaj, duke shtuar se PSD qysh në fillim kishte bërë të ditur se do të merren me gjëra që janë praktike dhe të dobishme për qytetarët e jo me gjëra që janë të thata e nuk ofrojnë asgjë.

Ndryshe PSD një video të publikuar në faqen zyrtare të tyre në Facebook ka përmbledhur disa fakte të punës së tyre njëvjeçare.

Në këtë video thuhet se grupi parlamentar i PSD-së ka iniciuar 7 debate parlamentare, po ashtu Kuvendi ka miratuar 5 rezoluta që janë propozuara nga PSD, ka thirrur 4 interpelanca, ka formuar 4 komisione parlamentare si dhe kanë parashtruar më shumë se 60 pyetje parlamentare.

Ajo çfarë vlen të theksohet e që ka bërë bujë të madhe, kanë qenë pesë kushtet që PSD i kishte vënë koalicionit qeverisës për ta votuar buxhetin.

Njëra nga këto kërkesa ishte edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj, më 21 dhjetor 2018 në ditën kur edhe u miratua buxheti për këtë vit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Lajme
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Lajme
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takim i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takim i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Lajme
Kalo në kategori