Irakli Koçollari
Ali Pasha është figura historikë shqiptare për të cilin është shkruar ndoshta më shumë se çdo personalitet tjetër i historisë së kombit tonë, në udhët e shekujve.
Atij i janë dedikuar mbi dyqind monografi historike, romane, tregime, drama, poema apo poezi, është shqiptari i vetëm, për të cilin janë kompozuar 21 opera, të cilat janë luajtur dhe interpretuar në teatrot më të mëdha të Evropës, si në Shtad Operën e Berlinit, në Teatrin Mbretëror të Londrës, në Nju Jorku, në “La Scala” të Milanos e gjetkë.
Gjatë periudhës së zullumit të tij në pushtet, të paktën në dy dekadat e para të shekullit të XIX, (1800-1820) pothuaj një herë në javë një nga gazetat kryesore evropiane kishte një shkrim për Pashain tepelenas.
Krahas shkrimeve dhe botimeve të panumërta, në Arkivat e metropoleve kryesore evropiane, si në Arkivin e Shtetit, në Arkivin e Foreign Offisit, të Britanisë së Madhe; në Bibliotekën Nacionale të Parisit dhe në Arkivin e Shtetit të Francës; në Arkivat Osmane dhe në Arkivat Veneciane, ka një numër të pafund dokumentacioni me vlera unikale për këtë personazh, që është ende fare pak i njohur.
Por, krahas tyre, ky burrë shteti tërhoqi vëmendjen edhe të piktorëve më në zë të Evropës. Eventet tronditëse që shoqëruan jetën e këtij hegjemoni, konfliktet ushtarake me kundërshtarët e tij të egër, me forcat e Perandorisë Osmane, aleancat dhe konfliktet me fuqitë më të mëdha evropiane, Francën, Venedikun, Britaninë e Madhe etj.; transformimet e mëdha ekonomike dhe sociale që ai solli në këto anë të Ballkanit, për shqiptarët dhe grekët gjer ato kohë të mbytur injoranca; prapambetja, despotizmi, tribalizmi, dhuna dhe egërsia osmane, harresa e civilizimit evropian etj., krijuan impresione të thella edhe tek piktorët më të mëdhenj të kohës, sikundër Delakrua, Jacobs, Cocerell, Monvoisin, Stackelberg, Hillaire, Zherome, Dupre, Castellan, Beresford, Lear, Vermet, Ëoodville, etj.
Tablotë dedikuar këtij personaliteti dominohen nga tematikave me karakter epik, sikundër skenat e luftës dhe konflikteve, por krahas tyre artistët e penelit gjetën në këto vise ku jetonin shqiptarë edhe peizazhe mahnitëse, kostume të rralla banorësh, të panjohura më parë, arkitekturë vendbanimesh unike etj. Nga ana tjetër, vetë Ali Pasha, ky reformator i madh, tërhoqi vëmendjen e artistëve në tërësi dhe të piktorëve në veçanti edhe me jetën e tij intime, personale mjaft intriguese.
Në moshën e tij gati 60-vjeçare, monarku tepelenas u martua me një vajzë që ende nuk i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat, Vasilika Kondakçiun, nga Plisavica e Çamërisë – një femër që më nuret dhe hiret e saj femërore vlerësohej ndër më të bukurat, në mos më e bukura në tërë hapësirat e pashallëkut. Megjithëse ajo kristiane dhe Ali Pasha mysliman, ata organizuan ceremoninë e kurorëzimit në kishën e Porto Palermos, një akt ky i paprecedent për botën islame të kohës.
Vasilika e deshi Ali Pashën gjer në trillin dashuror, si asgjë tjetër në jetën e saj, jo vetëm sa Ali Pasha ishte gjallë, por edhe pas vdekjes së tij.
Kjo vajzë ndryshe nga bota dhe morali osman ndiqte prirjet, shijet dhe sqimën e modës dhe modeleve evropiane të kohës, në sjelljet, kurajën, paraqitjen publike dhe në veshjet e saj. Këto dhe shumë ngjarje apo sjellje të jetës private të Ali Pashës me Vasilikën u bënë të njohura publikisht në shkrimet e kohës. Është kjo arsyeja që të gjithë piktorët që vizituan pashallëkun, ato kohë, kërkuan me insistim të siguronin disa çaste pozimi të Vasilikës (apo Vasiliqisë – sikundër e thërrisnin grekët) për telajot e tyre.
Dhe jo pak nga këta piktorë arritën të siguronin pozimin e kësaj femre dhe të vetë Ali Pashës në kundërshtim me predikimet ekstreme islame për artin figurative dhe pikturën në veçanti. Rebelimi ndaj moralit dhe institucionit oriental islam u krijoi mundësive piktorëve të huaj që vizituan këto anë t’i kushtojnë një numër të madh tablosh në vaj apo edhe teknikat e tjera të artit, që tanimë gjenden në të katër anët e Evropës dhe më gjerë, në muze dhe fonde private.
Ndër piktorët që i kushtuan tablo me vlerë këtij hegjemoni karizmatik, unik në karakterin, kurajën, mençurinë dhe bëmat e papërsëritshme të tij, do të rendisim vetëm katër prej tyre, të cilët lidhen me një subjekt mjaft interesant që do ta trajtojmë më poshtë:
1. Paul Emil Jacobs ishte një piktor gjerman. Lindi më 1802 dhe vdiq më 1866. Mbaroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Munih. Më 1824 shkoi në Romë ku tërhoqi vëmendjen e kritikës italiane me veprën “Lindja e Lazarit”. Më 1836 realizoi një cikël tablosh me subjekt historik në Hanovër.
Jacobs vlerësohet nga kritika e artit si mjeshtër i nudos, të shprehur këtë veçanërisht në temat me subjekt orientalist, sikundër tabloja e njohur “Një treg skllavesh”, apo “Djaloshi që fle “, “Një bukuroshe e haremit në dhomën e saj të tualetit”, “Sherazadeja”, etj. Por, fatmirësisht, ky piktor mjaft i njohur, Jacobs është dalluar dhe identifikuar në artin e tij edhe për punimet dedikuar Ali Pashës në momentet e pushimit dhe të intimitetit me bukuroshen e tij Vasilikën.
Apo edhe në momentin kritik të fundit të jetës. Çastin kur trupat turke hyjnë forcërisht në ambientet e dhomës së fundme për ti dorëzuar “fermanin“ e Sulltanit dhe mandej për ta ekzekutuar atë. Sikundër shumë evropianë të gjeneratës së tij Xhakobs ishte një filohelen që ndoqi me simpati Luftën për Pavarësinë e Greqisë dhe si i tillë, ai ndoqi me mjaft vëmendje jetën dhe bëmat e njeriut që i dha udhë fillimisht këtij revolucioni të Ali Pashës.
2. Raymond Monvoisin lindi në Bordo të Francës në vitin 1790 dhe vdiq më 1870. Nisi shkollimin e tij për t’u bërë një ushtarak, por pasionet i ndryshuan gjatë rrugës drejtimin për t’u bërë një artist piktor i njohur. Nga Bordoja shkoi në Paris ku punoi e studioi pranë Pierre Guerinit dhe mandej ndoqi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, ku punët e tij shpejt tërhoqën vëmendjen e kritikës franceze. Veprat e tij fituan vlera të mëdha komerciale, ndaj ai shumë shpejt u bë i njohur si tregtar, bankier, biznesmen. Më 1819 ai hapi ekspozitën e tij të parë vetjake në Luvër.
Mbas sukseseve të njohura të fillimit të karrierës në Francë, në vitin 1823, ai udhëtoi drejt Italisë dhe fitoi një bursë studimi në Vila Mediçi ,në Romë. Ndërsa emri i tij ishte bërë i njohur nga një numër veprash me orientim romantik, ai ndërmori një numër udhëtimesh në vendet e Amerikës Latine, i ftuar nga qeveritë kiliane, argjentinase dhe mbas gati dhjetë vjet udhëtime u kthye në Francë në vitin 1858. Punoi me mjaft pasion temën dhe figurën e Ali Pashës në disa variante të ngjashme me njëra tjetrën, përherë pranë dhe bri Vasiliqisë së tij të bukur. Tablotë e tij, me këtë subjekt, u bënë objekt riprodhimi edhe nga piktorë të tjerë.
3. H. Helley, është për ne një piktor që e bën atraktiv fakti se ka punuar në një moment vërtet të lënduar psikologjikisht Vasiliqinë. Ndoshta portreti më i bukur në një moment trishtimi dhe lutjeje, njëkohësisht. Ndoshta është çasti meditativ pas humbjes ndoshta të njeriut të saj më të dashur, Ali Pashës. Në tablonë e Helleyt, Vasiliqia e bukur është në ditët e vetmisë së madhe, në çastet e vuajtjeve të rënda të saj, pa përkrahje dhe mbështetje në jetë. E shoqërojnë vetëm trishtimi dhe kujtimet apo ëndrrat e largëta, kur ajo qëndronte krah një hegjemoni që trondiste Ballkanin e më gjerë Evropën. Ajo i qëndroi në krah atij gjer në çastet e fundit kur ai ndeshej me një perandori të tmerrshme – Perandorinë Osmane, dhe si fund do të kishte ndëshkimin e tmerrshëm dhe fatal, kokën në Stamboll dhe trupin në Janinë… …
4. Francisko Hayez, lindi ne Venecia më 1791 dhe vdiq po aty më 1882. Ishte i biri një nëne italiane dhe babai francez. E ëma Kiara Torcella ishte nga Murano, ndërsa i ati, Xhovani ishte një pronar anijesh i njohur. Që në fëmijëri u shfaq talenti i tij për pikturë dhe prindërit e mbështetën në rrugën e tij të artit. Më 1806 ai u pranua në Akademinë e Re të Arteve të Bukura në Venecia, ku pati fatin të kishte si tutor artistin e njohur Teodoro Mateini. Pas përfundimit të studimeve në Venecia ai shkoi dhe vazhdoi studime për një vit edhe në Akademinë e pikturës në Romë. Pas një eksperience të gjatë punësh dhe konkursesh, pjesëmarrje në ekspozita dhe kontrata, në vitin 1850 ai u caktua drejtor i Muzeut Brera në Milano.
Ishte një piktor që krijimet e tij i takojnë neoklasicizmit dhe romantizmit evropian. Ndër veprat e shumta, më e njohura apo ndoshta ajo që vlerësohet me e bukura, jo vetëm sa jetonte piktori por edhe në ditët tonë, është ajo me titull “The kiss – Puthja”, që mbetet një punim unik në llojin e saj. Por, një ndër veprat e rëndësishme të fondit të këtij piktori të madh renditet edhe një tablo me temë shqiptare e titulluar: ”Largimi nga Parga”. Por, a është kjo tabloja e vetëm me tematikë shqiptare e këtij piktori, sikundër kemi njohur gjer më sot?
Në një botim të fundit të Milano, të vitit 2017, dedikuar krijimtarisë së Francesco Hayez, nën kontributin e Gelirie deli’Accademia di Venecia dhe Pinakotekës Brera në Milano, gjejmë edhe dy tablo të tjera me tematikë shqiptare, në vaj, me mjaft interes të këtij piktori të famshëm. Por, përse piktorin venecian e ka tërhequr tematika shqiptare?
Përse i kushtoi ai disa krijime dhe për më tepër një prej kompozimeve më të rëndësishme këtij subjekti? Qyteti i Pargës, që ndodhet në bregdetin e Çamërisë, i banuar i tërë nga shqiptarë, që prej shekullit të XIII kishte qenë një zotërim venecian, madje nën këtë status politik dhe ushtarak ai qëndroi edhe gjatë shekujve të pushtimin Osman.
Në vitin 1818, ndërsa Ali Pasha kishte rritur dhe konsoliduar fuqinë e tij të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, duke shfrytëzuar konjukturat politike, ndërsa qyteti i Pargës u ishte marrë venecianëve nga forcat britanike dhe mbahej prej tyre, Pashai i Janinës hyri në tratativa me të dhe e bleu qytetin mbi bazën e një kontrate ligjore.
Banorët e Pargës, që nuk donin të qëndronin nën pushtetin e Ali Pashës, kërkuan të largoheshin para se Pashai të merrte çelësat e qytetit. Nën këto pretendime ata bashkë me pasuritë e tyre të luajtshme, në largim e sipër, bënë një gjest mjaft tronditës që la gjurmë jo vetëm për rajonet fqinjë por edhe për qarqet evropiane të kohës!
Një pjesë e banorëve zhvarrosën të parët e tyre dhe eshtrat i morën në rrugën e tyre të emigrimit drejt ishullit që ndodhej përballë, në Korfuz ku dhe u vendosën dhe qëndruan për pak vite. Këtë skenë tragjike dhe epike njëkohësisht, e cila tronditi opinionin e kohës dhe veçmas qytetin e Venecias, shtetas të së cilës kishin qenë edhe shqiptarët e Pargës, e fiksoi në tablonë e tij piktori venecian Francesko Hayes. Për këta piktorë dhe mjaft tablo të tjera ka punuar dhe shkruar me një pasion të rrallë studiuesi ynë i talentuar Ferit Hudhri.
Artisti dhe piktori i talentuar shqiptar Eltjon Valle, që ushtron artin e tij në Milano, ka mundur të blejë në ekspozitat e organizuara nga Katedralja e qytetit të Milanos, prej objekteve të dhuruara për shitje në ankandet e bamirësisë,një tablo që ka për subjekt Ali Pashë Tepelenën.
Pa më të voglin dyshim, tabloja është origjinale, dhe i takon fundit të shekullit të XVIII apo fillimit të shekullit të XIX. Është e punuar në tone alternative të bojës së zezë të kinës, por në linja të veçanta, që piktori ka dashur ti bëjë evidente dhe nxjerrë në pah, për interesin e tematikës së tablosë, ka vendosur penelata të ngjyrës së bardhë, ndoshta tempera.
Tabloja ka të vendosur në qendër të saj Pashin zulmëmadh, Ali Tepelenën dhe të rënë në gjunjët e tij, që duket se kërkon mbrojtje por edhe lutet për fatin e zotit të saj, qëndron Vasilika. Ndërsa në krahun e majtë të tablosë gjendet një grup njerëzish të armatosur që duket se kanë hyrë forcërisht në ambientet intime të Pashit!
E parë me kujdes, nga mënyra e vendosjes së figurave në skenë, nga veshja që mbajnë dy personazhet qendrorë, Aliu dhe Vasilika, nga mënyra e komunikimit mes tyre, nga tensioni kërcënues që dominon skenën e kësaj tabloje, nga gjendja e rënduar psikologjike e figurave qendrore, nga hyrja e kundërshtarëve të armatosur në mënyrë të papritur dhe violente në sarajet e Pashait; kompozimi që zotëron Eltjon Valleka ngjashmëri me disa nga tablotë e autorëve që rendisim më sipër, por mbi të gjitha me ngjarjet dhe skenat që shoqëruan në fakt vetë fatin e Ali Pashës dhe Vasilikës, orët e fundit të jetës së tyre.
Kështu, nëse do të shikonim tablotë e Jacobs, të Monvoisin apo atë të Hellëy (portretin e Vasilikës) do të gjenim linja dhe skena kompozicionale të përafërta apo të ngjashme me atë të tablos që ka Eltjon Valle. Pra, tek te tre tablotë dallohen qartë Vasilikën në krah të Ali Pashës, nën një mbrojtje sublime, ndoshta gjer në sakrificë mortale, për shkak të ndjeshmërisë ekstreme të dashurisë së njohur bashkëshortore, që patën këta dy njerëz.
Por, nga ana tjetër në to është evidente edhe pasiguria, frika dhe ankthi i Vasilikës, për fatin e kërcënuar dhe eminent të të shoqit, Aliut, që nuk dihet se çfarë e pret nga mbërritja e beftë e të huajve në divanin e tyre, nga çasti në çast!! Dhe në fakt, fati i këtij çifti u kërcënua pikërisht kështu! Në çastet e fundit të jetës së Pashait, kur ai porsa i kishte kaluar të tetëdhjetat, më 1822, Ali Pasha i rebeluari ndaj Portës së Lartë, u rrethua në kështjellën e tij të Janinës, nga 80 000 trupa osmane.
Pas një qëndresë prej gati një viti, përfaqësues të Sulltanit i kërkuan takim dhe me një ferman në duart e tyre hynë në sarajet e pashait ku ai qëndronte me bukuroshen e tij Vasilikën dhe i kërkuan të largohej nga Janina, me premtimin se do të falej…. Por, sikundër dihet, pas rengut të përgatitur me shumë kujdes, ndërsa Ali Pasha kishte larguar Vasilikën nga sarajet, u qëllua barbarisht dhe u vra. Paskëtaj vrasësit morrën me vete kokën e prerë për ta shpënë drejt Stambollit, ku prehet edhe sot.
Por, e kujt autori është tabloja që ka në pronësi Valle? Firma e autorit të kësaj tabloje, e vendosur në fundin e saj në krahun e djathtë ngjan me atë të Hayez.
Po ashtu mjaft elementë të tjerë të tematikës dhe të stilit të tablosë i ngjajnë punimeve të këtij piktori. Megjithëse linjat dhe plastika e tablosë i përafrohen mjaft mënyrës së punimit të këtij piktori të njohur venecian, ne përsëri rezervohemi të pohojmë në mënyrë kategorikë autorësinë e Hayez.
Por, sido që të jetë, tabloja që tanimë është në pronësi të një shqiptari, Eltjonit, është me vlerë të veçantë, pasi është evidente që ajo dedikohet një prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë së popullit tonë, Ali Pashë Tepelenës; ajo është një krijim që i takon fundit të shekullit të XVIII apo fillimit të shekullit të XIX; është një tablo që na sjell qartazi atmosferën e viteve dhe të ngjarjeve që shoqëruan trevat shqiptare dhe personazhet e njohur të fillimit të shekullit të XIX.
Nga ana tjetër ajo ka për subjekt një figure të rëndësishme të historisë së popullit tonë, për të cilin në fondet e muzeve apo koleksioneve private shqiptare nuk gjendet asnjë tablo e tillë. Të gjitha krijimet kushtuar kësaj figure, sikundër dihet, ndodhen në muzetë apo pinakotekat e botës.
Fakti që, tanimë një tablo e tillë, dedikuar Ali Pashës, e punuar në kohën kur jetoi ai, apo pak vite mbas vdekjes së tij, tanimë gjendet në fondin e një shqiptari, shton vlerat e fondit të pasurive tona në artin pamor me tematikë historike. Qëmtimi dhe blerja e veprave të artit me këtë tematikë, sigurisht që është një gjest që i ka rrënjët tek kultura dhe patriotizmi i individit, çka duhet nderuar dhe mbështetur. Le të shpresojmë që inventari i pasurive tona me vepra të tilla arti, më subjekte shqiptare do të zgjerohet edhe më tej, si pjesë e fondit të kulturës së rëndësishme identitare nacionale shqiptare.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHistori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Komploti i Taksimit dhe Kosova si strumbullar i lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë
Fitorja e Trumpit do të ndryshojë Amerikën, por Evropa mund të ketë një tjetër të ardhme
Çfarë ndodhte në ditët e fundit të sundimit osman në Shqipëri?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A