Një sërë rregullash të reja do të hyjnë në fuqi në Bashkimin Evropian

Që nga viti 2026, pronarët e veturave në Bashkimin Evropian do të përballen me ndryshime të mëdha. Rregullat e reja do të ndikojnë në gjithçka, nga emisionet dhe bateritë, deri te sigurimi dhe sistemet e sigurisë në makinat.
Rregulloret e reja të BE-së vendosin kërkesa të qarta për emisionet, sigurinë dhe jetëgjatësinë e automjeteve. Norma e re e emisioneve Euro 7 do të hyjë në fuqi për modelet e reja të automjeteve dhe automjeteve të lehta komerciale më 29 nëntor 2026, dhe vitin pasardhës për të gjitha automjetet e regjistruara rishtas.
Emisionet e grimcave ultrafine nga motorët me benzinë do të maten më saktë se më parë. Grimcat nga frenat dhe konsumimi i gomave do të kenë kufij të përcaktuar. Gomat e reja do të emetojnë më pak grimca dhe me shumë gjasa do të zgjasin më shumë.
Vetura elektrike dhe hibride plug-in gjithashtu duhet të përmbushin kërkesa të rrepta për jetëgjatësinë e baterisë. Do të hyjnë në fuqi ligje të reja për bateritë e makinave elektrike dhe hibride, me qëllim zgjatjen e jetës së tyre.
Bateria duhet të sigurojë kapacitet të mjaftueshëm gjatë gjithë jetës së makinës. Pas 5 vitesh dhe 100 mijë km, bateria duhet të mbajë të paktën 80 për qind të kapacitetit.
Kur automjeti kalon 160 mijë km, kapaciteti nuk duhet të bjerë nën 72 për qind të kapacitetit të një baterie të re. Prodhuesit duhet të dokumentojnë dhe provojnë se bateritë dhe sistemet e fuqisë ruajnë performancën e tyre me kalimin e kohës.
Që nga 1 janari 2026, të gjitha veturat e reja duhet të kenë sistemin e përmirësuar të thirrjes emergjente Next Generation eCall, i cili mund të njoftojë automatikisht shërbimet emergjente në rast aksidenti.
Pa këtë sistem, automjetet nuk do të marrë homologim, dhe nga viti 2027 asnjë makinë e re nuk mund të regjistrohet pa të. Ky sistem funksionon gjithashtu për makinat elektrike dhe hibride dhe është një shembull i mënyrës sesi BE dëshiron të rrisë sigurinë në rrugë.
Kompani që përdorin kamionë më të lehtë midis 2.5 dhe 3.5 tonë do të përballen me kërkesa të reja për tahografë inteligjentë. Që nga 1 korriku 2026, këta do të regjistrojnë kohën e vozitjes dhe pushimit, kalimet e kufijve dhe përpjekjet për manipulim. Kjo do të sigurojë transport më të sigurt dhe kushte më të mira pune për shoferët profesionistë. /Telegrafi/







































