Një poezi e Herbertit për mikun e tij shqiptar

Nga: Avni Spahiu
Obri Herberti (Aubrey Herbert), aristokrat, anëtar i Parlamentit britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës britanike, kryetar i Komitetit Shqiptar-Anglez, ishte një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sa ishte i atashuar në ambasadën britanike në Stamboll ai gjeti një ndihmës dhe shoqërues në Selanik, që quhej Qazim Kukeli, nga Dibra, i cili e njoftoi atë me shqiptarët. Qazimi shoqëroi këtë aristokrat anglez gjatë tërë qëndrimit në Stamboll dhe gjatë udhëtimeve në Ballkan e në vende të tjera në Lindje të Mesme dhe të Largët, nëpër vendet arabe, madje deri në Indi e Kinë. Qazimi, madje, vizitoi mikun e tij edhe në Londër. Mirënjohës për ndihmën dhe besnikërinë e treguar ndaj Obrit, ky i fundit e kishte pyetur një ditë Qazimin se çka mund të bënte ai për të si shpërblim. “Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rasti” - ishte përgjigjur Qazim Kukeli. Në “Ditarin” e tij Obri i kushton faqe të tëra këtij personaliteti interesant shqiptar të kohës, ndërkaq në mesin e shënimeve të tij gjetëm këtë poezi të shkruar nga Herberti për mikun dhe bashkudhëtarin e tij. Në të i këndohet mallëngjimit të Qazimit për Prizrenin, dhe pikëllimin për gjendjen e tij mizerabël dhe të papajtueshme me jetën në shkretëtirë mes arabësh, rërës dhe përcëllimit të diellit, në një kontrast të thellë me imazhin parnasian të atdheut të tij të largët, Shqipërisë ...
Poezia është nxjerrë nga libri i Obri Herbertit, Eastern Songs (Këngë nga Lindja) botuar në vitin 1911 në Edinburg dhe Londër, me pseudonimin Ben Kendim (në turqisht, “Unë vetë”).
***
SHQIPTARI NË JEMEN
QAZIM BEUT
Poezi nga: Aubrey Herbert
Përktheu: Avni Spahiu
Kush gjen vallë prehje nën një palme, a ëndje
nën hijen e saj,
Në atë vezullim shkretëtire, ku vendime të rënda
të presin?
Fërkemesh të thella marsheve të verdha aty ku dielli lind
na fton të nisemi,
Hidhemi në luftë mëngjesore, e secili bën
punën e vet.
Devetë e dinë vetë vendin e gjunjëzimit dhe kumria
njeh pemën e saj,
digjet rëra e Jemenit dhe erërat e shkretëtirës
më urrejnë;
S’do ta ndal këtë ecje deri në freskinë
e hijes
së selvive të Prizrendit, ku borxhi i rëndë
duhet paguar.
Sa shpendë grabitqarë në Jemen, jo shqiponja të
vendit tim,
Ka lule të kuqe në Jemen, po në vendin tim
luledorëzonja
Rritet në Prizrend rreth shtëpisë, e çdo vit
lejlekë të njëjtë bëjnë folenë;
Oh, si rrahin krahët me vrull, netëve kur unë dhe miqtë e mi
flemë!
A do të dal vallë përsëri mbrëmjeve, lugut të Drinit tonë,
Të shoh muzgun e pasmë ku e bardhë
si lëkura e një çupe
Bora shkëlqen në male, dhe mbi
borë një yll,
Shpresë në mbrëmje po Fjalë e Zotit thyen ëndrrat e njeriut?
Jetën do të jepja për atë Prehje
Atdheu
Të shoh fytyra malësorësh që zjarri i fushës
shfaq
Të ulem me miqtë e me gishtërinj të prekim tezgjahët
e vjetër, Ferhan,
Zërat të dëgjojmë jargavanësh purpuri
shtrirë pranë.
Atje prapa grilave të qilarit,
si pa sy,
Prapa selvish që dridhen në erë, e di se çfarë
do të gjej,
Hedh rreze, e dashur e shpirtit tim, atë me zërin e ëmbël
prej livande,
që më prek shpirtin ashtu si shiu që bie
mbi grurë.
Nëse ndesh gjakësin tim nga Dibra e fytyrën e saj
më s’do ta shoh,
Kam miq në Prizrend, gurë ka përplot, e vendin ku kam rënë
do ta shënjojnë,
Ndaj, shpirti im do të prehet, me kokën nën
gurë të bardhë,
Kur bora e shkrirë zgjon Drinin e kur tërë
uji të ketë shterë.
Drini i Bardhë e Drini i Zi, vëllezër të egër
në hasmëri,
I hidhen të egrit dimër, trimërisht kacafytur
në bjeshkë;
Po përplasje e tyre, si melodi a padëgjuar
bie mbi veshët e mi,
Mua që s’honeps dot ranishtën kërcëlluese e detin
prej rëre të kuqe.


















































