Një muaj pas hyrjes në fuqi, Ministria e Shëndetësisë përditëson listën zyrtare të çmimeve të barnave

Një muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit për Listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta përditësoi këtë listë.
Në vendimin e marrë më 21 mars, thuhet se “afati i vlefshmërisë së çmimeve të produkteve medicinale është i përcaktuar me listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale e cila është pjesë e këtij vendimi”
Ministria thekson se qarkulluesit me pakicë në këtë rast barnatoret, obligohen të vendosin çmimin në të gjitha produktet që kanë në gjendje sipas Listës së përditësuar e cila është pjesë e këtij vendimi.
“Obligohet AKPPM të ndërmerr të gjitha veprimet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë kishte thënë për Telegrafin se çmimet e produkteve medicianel përcaktohen për një vit.
“Lista zyrtare e çmimeve, sipas vendimit nr. 05-10072, datë 23.12.2024, ka hyrë në fuqi nga data 01.02.2025. Çmimet e produkteve medicinale përcaktohen për një vit, ndërsa me vendimin nr. 05-682, datë 31.01.2025, për përcaktimin e procedurës dhe formatit të aplikimit për deklarimin, rideklarimin dhe ndryshimin e çmimit, është hapur mundësia për aplikimet respektive”, patën deklaruar nga ministria.
Vendosja e listës zyrtare të çmimeve të barnave ka shkaktuar probleme të shumta në tregun farmaceutik, duke bërë kështu që në treg të ketë mungesë të disa produkteve.
Mungesa e barnave është vërejtur në barnatoret private, e ndër to ka qenë edhe mungesa e tretjeve fiziologjike NaCl.
Telegrafi ka raportuar ditë më parë për këtë problem. Shoqata e Distributorëve Farmaceutik, kishte deklaruar se arsyeja kryesore për mungesën e këtyre produkteve është çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili sipas tyre është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot reale të furnizuesve.
“Për shkak të çmimeve tejet të ulëta të miratuara (nën çmimin furnizues) nga ana e komisionit për deklarimin e çmimeve pranë MSH, furnitorëve ju është pamundësuar furnizimi permanent dhe importi i këtyre produkteve”, kishin deklaruar nga kjo Shoqatë për Telegrafin.
Edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje që vendimi i ministrit për listën e çmimeve të ndryshohet ose të shtyhet edhe impelemntimi i tij, pasi i njëjti do të shkaktojë mungesë të produkteve në treg.
Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e miratuar me Vendim nr. 208/XII/2024 të Ministrit të Shëndetësisë, ka hyrë në fuqi më datë 01.02.2025, kurse Ligji për çmimin e produkteve medicinale nr. 08/L-220 ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023. /Telegrafi/







































