Kombëtarja e Kosovës ka fituar me rezultat 4-3 në udhëtim ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale të playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit që shënuan në minutën e pestë për rezultatin 1-0 falë një goditjeje të saktë me kokë nga qendërmbrojtësi Martin Valjent.


Pas golit të pësuar Kosova filloi disi të këndellej dhe shtoi intensitetin e lojës, me ç’rast kjo iu shpërblye edhe me golin e barazimit.

Ishte Veldin Hoxha i cili në minutën e 20-të të takimit realizoi një super gol nga jashtë zonës për rezultatin 1-1.

Vendasit patën një mundësi të mirë shënimi në minutën e 36-të, por fatmirësisht për Kosovën goditja e Lukas Haraslin u ndal nga shtylla.

Sidoqoftë, i njëjti lojtar u tregua i saktë në minutën e 44-të kur nga gjuajtja e lirë realizoi për rezultatin 2-1.

Me të filluar pjesa e dytë Kosova barazoi gjithçka në 2-2 falë një shkëputjeje fantastike në ajër nga Fisnik Asllani.

Nuk vonoi shumë dhe ‘Dardanët’ realizuan golin e përmbysjes me anë të Florent Muslijës i cili në minutën e 59-të realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit për 3-2.

Golin që e vulosi fitoren e madhe Kosova e gjeti në minutën e 71-të kur pas një tollovie në zonë Kreshnik Hajrizi e shfrytëzoi një top të kthyer për ta dërguar në rrjetë për 4-2.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Sllovakia ia doli të shënojë edhe një gol tjetër përmes David Strelec për 4-3, por nuk ishte e mjaftueshme për ta evituar eliminimin.

Tani më 31 mars, Kosova do të jetë nikoqire e Turqisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, aty ku do të vendoset se cila skuadër do të sigurojë biletën për Kupën e Botës 2026./Telegrafi/

telegrafi sport app