Nga: James Meadway / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk ka kaluar as një javë që nga shpallja sensacionale e Donald Trumpit se po i jep fund njëanshëm sistemit tregtar botëror, duke vendosur një tarifë minimale prej 10 për qind për tregtinë me ShBA-në - dhe një normë shumë më të lartë për ato vende që kanë “fatkeqësinë” ta kenë ShBA-në si partner të madh eksporti. Aleatët afatgjatë, si Japonia dhe Koreja e Jugut, janë goditur me tarifa prej rreth 25 për qind, ndërsa vendet më të varfra dhe të varura nga eksporti, si Vietnami - i cili shet rreth një të tretën e eksporteve të tij në ShBA - janë përballur me tarifa mbi 45 për qind. Është e mundur një valë tjetër e krizave të borxhit global, pasi vendet me borxhe të mëdha përballen me humbje të papritura të të ardhurave nga eksportet.


Tregjet globale të aksioneve janë përmbysur teksa investitorët e trembur shesin aksionet, ndërsa dënimi politik ka qenë pothuajse universal. Kina ka reaguar tashmë me tarifa prej 34 për qind, duke kërcënuar me përshkallëzim të luftës tregtare. Për momentin, kjo duket dhe ndihet si një ndërmarrje shkatërrimtare nga një administratë tejet e paqëndrueshme, nën drejtimin e një presidenti me një njohje tmerrësisht të kufizuar për mënyrën se si funksionon ekonomia moderne.

Trumpi ka folur për vendosjen e tarifave ndaj botës, qëkur u bë i njohur për herë të parë në vitet ’80 [të shekullit XX] - kohë kjo kur objektivi i tij ishte Japonia. Në një karrierë politike të shënuar nga kthesat e befta në politika dhe qasje, tarifat - “fjala më e bukur në fjalor” - kanë qenë një konstantë. Por, kjo shkon përtej tekave të tij të vjetra. Sado i paqëndrueshëm apo i paqartë të duket Trumpi ndonjëherë, ata që e rrethojnë kanë një vizion të qartë për atë që duan të arrijnë.

Sekretari i Thesarit i Trumpit, miliarderi i fondeve spekulative, Scott Bessent, ka folur për një “rend të ri ekonomik global” që synon të formësohet në favor të elitës amerikane. Kryetari i ri i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, Stephen Miran, kishte shkruar një punim të gjatë, një Udhëzues për Ristrukturimin e Sistemit Tregtar Global, pak kohë përpara se të emërohej në këtë post. Ky i fundit është veçanërisht ambicioz - duke detajuar se si ShBA-ja duhet të përdorë jo vetëm tarifat, por edhe kërcënimin për të tërhequr mbështetjen e saj ushtarake, për të detyruar miqtë dhe aleatët të pranojnë uljen e pagesave që u takojnë nga Rezervat Federale për bonot e Thesarit amerikan. Kjo do të përbënte një humbje potencialisht të madhe për ta, e ngjashme në thelb me një mospagim të borxhit nga ana e ShBA-së. Por, janë tarifat ato që përbëjnë thelbin e planit - duke shfrytëzuar fuqinë e ShBA-së si konsumatori më i madh në botë dhe njëkohësisht borxhliu më i madh, për të detyruar vendet e tjera që të hyjnë në negociata me kushte të reja.

Pas dekadave të tëra në të cilat ka fituar në një lojë ndërkombëtare tregtare të cilën vetë e ka shkruar dhe gjykuar, ShBA-ja tani po përballet me një konkurrencë serioze - kryesisht nga Kina, por edhe nga Evropa, e cila shihet si një pengesë e kushtueshme. Reagimi i kësaj administrate është që të përmbysë tryezën e negociatave dhe të kërkojë që loja të nisë nga e para. Ajo që dëshiron, në fund të fundit, është një dollar më i lirë për të ringjallur industrinë përpunuese amerikane dhe për të frenuar konkurrencën kineze - ndërkohë që ruan statusin e dollarit si monedha rezervë e botës. Dhe, pjesa tjetër të botës do të paguajë çmimin.

Ekzistojnë precedentët. Në tetor të vitit 1979, Paul Volcker, i porsaemëruar kryetar i Rezervës Federale, rriti normat e interesit në një nivel të jashtëzakonshëm prej 13 për qind, për të luftuar inflacionin, duke i çuar më vonë ato deri në 17 për qind. Së shpejti, ShBA-ja u fut në recesion. Miliona njerëz humbën punën në dy vitet e ardhshme, veçanërisht në sektorin prodhues, ku normat e larta të interesit kishin rritur ndjeshëm vlerën e dollarit, duke e bërë më të vështirë konkurrencën e eksporteve amerikane në tregjet ndërkombëtare. Pas një lehtësimi të shkurtër të normave të ferrit nga Rezervat Federale, Volckeri e aplikoi një dozë të dytë të terapisë, duke i çuar normat deri në 19 për qind dhe duke e futur sërish ekonominë në një recesion të dyfishtë. Papunësia arriti kulmin me rreth 10 për qind në fund të vitit 1982.

Por, deri në mesin e vitit 1983, inflacioni kishte rënë në 2.5 për qind. Për pjesën tjetër të viteve ’80 [të shekullit XX], ekonomia amerikane përjetoi një bum. “Tronditja nga Volckeri” dukej se kishte funksionuar. Sot Volckeri është hero legjendar mes bankierëve qendrorë: Ben Bernanke, kryetar i Rezervës Federale gjatë krizës së vitit 2008, e ka lavdëruar pavarësinë e tij dhe gatishmërinë për të përballuar stuhinë politike.

Megjithatë, më vendimtare se ulja e inflacionit ishte riformësimi i ekonomisë amerikane të cilën e përshpejtoi tronditja e normave të interesit nga Volckeri: me industrinë prodhuese në rënie të lirë, investimet u drejtuan kah sektori financiar dhe pasuritë e paluajtshme, duke nxitur atë që më pas u kthye në flluskën e madhe të kreditit të viteve 1990 dhe 2000. Ekonomia botërore u riorganizua rreth një ShBA-je që vepronte si një lavaman gjigant për prodhimin global - duke thithur eksportet nga pjesa tjetër e botës përmes huamarrjes në dukje së pakufizuar. Bumi i jashtëzakonshëm i Kinës ishte ana tjetër e medaljes së borxhit dhe deindustrializimit amerikan. Tronditja e Volckerit, më shumë se çdo veprim tjetër i vetëm, krijoi sistemin e sotëm global të cilin Trumpi ka tendencë të shkatërrojë.

Pak vetë do të kishin vënë bast në atë kohë për aftësinë e Volckerit për të formësuar botën. Ishte i menjëhershëm dhe i njëzëshëm reagimi i tregut të aksioneve ndaj tronditjes. Aksionet amerikane ranë me një rekord prej tetë për qind në dy ditët pas shpalljes së tij. Indeksi S&P 500 humbi 27 për qind të vlerës deri në gusht 1982 - dy vjet me rënie të vazhdueshme. Prodhuesit dhe sindikatat e urryen këtë masë, dhe me arsye: ata ishin në anën humbëse të një riorganizimi epokal të kapitalizmit amerikan. Por, ata nuk ishin të vetmit humbës: rritja e normave të interesit në ShBA nënkuptonte se vendet më pak të zhvilluara duhej të paguanin më shumë për shërbimin e borxheve, pikërisht kur recesioni po ngushtonte tregjet e tyre kryesore të eksportit. Rezultati ishte ai që u quajt “kriza e borxhit në Botën e Tretë”, teksa vendet me borxhe të larta në Jugun Global ranë në spiralen e rënies ekonomike dhe borxheve në rritje.

Gjatë fundjavës, Bessenti dhe sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, u shfaqën në media, duke këmbëngulur se nuk do të ketë tërheqje nga tarifat. Trumpi nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ajo që për të është qartësisht një fushatë personale. Disa vende, si Vietnami, kanë premtuar tashmë se do të heqin të gjitha tarifat për mallrat amerikane - një dëshmi e qartë dhe e ashpër e fuqisë së vazhdueshme ekonomike të ShBA-së. Administrata ka pohuar se 50 vende të tjera kanë kërkuar të nisin negociatat. Deri në fund të javës, pritet që Trumpi të shpallë me krenari më shumë lëshime të tilla nga ekonomitë e Jugut Global. Objektivi i tij i vërtetë, Kina, do të jetë shumë më i vështirë për t’u mposhtur - nëse kjo do të ndodh ndonjëherë.

Ndoshta kaosi i vazhdueshëm në tregjet financiare do të bëhet i padurueshëm. Ndoshta administrata do të jetë e para që do të tërhiqet. Nuk ka asnjë garanci që ky bast i jashtëzakonshëm do të funksionojë - madje as për ata që janë më afër Trumpit. Por, do të ishte gabim të mendohej se nuk mund të funksionojë - dhe, sido që të përfundojë, pjesët nuk do të kthehen më në vendin e tyre të mëparshëm. /Telegrafi/