Nga: Çapajev Gjokutaj
Një grua shtatzënë vetëmbytet në lumë. Atypari rastis të kalojë një doktor, gjysmë magjistar e gjysmë i shkarë, që merr trurin e foshnjës fetus dhe ia implanton trupit të së ëmës, për të pasur kështu një qenie me trup gruaje po me të menduar, sjellje e lëvizje prej foshnje. Kjo është parahistoria e filmit “Poor Things” i Yorgos Lanthimos, që e pashë mbrëmë dhe më la mbresë të thellë.
Është fitues i “Luanit të Artë” në Festivalin e Venecias, i lauruar si më i miri nga “Golden Globe” në zhanrin e komedisë dhe i përfshirë në listën e filmave më të mirë në nominimet për “Oscar”-ët e këtij viti. Ç’rrugë do ndjekë qenia me trup gruaje e tru fëmije për të gjetur a krijuar identitetin e vet? Kjo është pyetja që shtron filmi dhe në rrjedhën e subjektit sugjeron se ka dy rrugë, dy mundësi.
E para, të jetoje nën pushtetin e doktorit monstër, duke marrë burrin që i zgjedhin e duke krijuar familje. Në këtë rrugë e shtyn dhe doktori monstër që jo rastësisht quhet Godwin (Willem Dafoe) dhe që Bella e quan herë baba e herë Zot. Ky e shtyn të martohet me njërin nga studentët e tij dhe fejesa konsiderohet e bërë. Atje, nën kujdesin, pushtetin dhe kontrollin e babait perëndi Bella, do të ishte pjesë e një jetë surreale. Jo rastësisht ambientet e shtëpisë së doktorit të kujtojnë pikturat e Salvador Dalisë, ndërkohë që në këto ambiente lëvizin kafshë të çuditshme si p. sh., një patok me kokë derri, një rosak me trup qeni sikur të kishin dalë nga pikturat e Hieronimus Boschit. Surrealja këtu merr vlerë simbolike si për të thënë se në një ambient të shtrembëruar nga konvencionet dhe etja për pushtet e burrave, Bella vështirë se do ta përmbushte veten dhe rrezikonte të mbetej një qenie me trup gruaje dhe tru fëmije.
E shohim heroinën të zgjedhë një rrugë tjetër, arratiset me avokatin që do t’i përgatiste letrat e martesës dhe nis një jetë gjithë aventura rrugëve të botës, në Lisbonë, Mesdhe, Aleksandri e Paris, për t’u rikthyer në Londër. Kështu, në kontakt me njerëz dhe vende të ndryshme, kërkon dhe gjen a krijon identitetin e vet si njeri e si grua. Të bën përshtypje edhe fakti që vetëm pasi njeh dhe provon të gjitha llojet e marrëdhënieve seksuale (duke filluar nga masturbimet pothuajse perverse në shtëpinë e babait perëndi, te përvojat në shtrat me avokatin e deri te punësimi në një bordello të Parisit), e pra, vetëm atëherë gjen edhe veten, gjë që në film jepet edhe vizualisht: Bella (Emma Stone) lë mënjanë lëvizjet dhe tiparet prej manekineje dhe përfton pamjen e një gruaje sharmante.
Po ta matësh si sasi imazhesh që ofron filmi, marrëdhëniet seksuale zënë goxha kohë, aq sa hera-herës të ngjan se aventura e Bellas nuk është aq rrugëve të botës sa rrugëve të seksit. Natyrisht, nga kontaktet me njerëz të tjerë, gruaja fëmijë merr dije e formohet, filozofinë e mëson nga Marta dhe Henri në Lisbonë, kurse socializmin ia mëson një grua me ngjyrë në bordello, në Paris. Vetëm se filozofitë, ideologjitë e dije të tjera vijnë si dytësore – primare mbeten përvojat seksuale.
Parë në këtë rrafsh dhe përtej filmit “Poor Things”, vetiu lind pyetja: seksi zë vend relativisht të vogël në jetën e njeriut, rreth një për qind të së gjithë kohës që gjallojmë, por në art, letërsi apo edhe në ligjërimin njerëzor, në përgjithësi, duket se zë shumë më tepër vend. Po të shtosh këtu edhe krijimet e ligjërimet për dashurinë, balanca anon dukshëm nga seksi dhe dashuria.
Si ta shpjegosh këtë dukuri; është diçka e rastit apo lidhet me faktorë të tjerë. P. sh., në shumë shoqëri, ligjërimi për seksin ka qenë dhe mbetet tabu dhe dihet që tabuja, e ndaluara, të shtyn në ngasje ta flasësh e ta riprodhosh në mediume të ndryshme. Seksi i folur a i riprodhuar vizualisht, thuajse instinktivisht, e tërheq njeriun; athua që duke ditur këtë, artistët e përdorin si karrem për të pasur më shumë shikues e lexues? Po mbase lidhet me faktin që seksi është burim i jetës, mjet i riprodhimit të species dhe, si i tillë ngjall kurdoherë vëmendje, kërshëri e zbulime siç ka ndodhur edhe me disa nga mendjet me të ndritura si Freudi, Foucault, Kinsey e të tjerë që kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet shpesh misterioze të seksit me zhvillimin psikologjik të njeriut, me pushtetin, normat sociale etj..
Që të kthehemi te filmi, edhe diçka tjetër të bën përshtypje. Megjithëse i mbushur me çudira, monstra e imazhe surreale, thuajse asnjëherë s’të krijon ndjesinë e diçkaje artificiale e të kërkuar; gjatë gjithë kohës ndihesh mes jetës e jetësores dhe kur del nga salla e kinemasë ndihesh i çlodhur e i freskët, megjithëse ke ndenjur pa lëvizur, i ngujuar në një ndenjëse të ngushtë për dy orë e gjysme. Punë ustai thua me vete dhe ndjen se respekti i kahershëm për grekun Yorgos Lanthimos bëhet më i thellë e më i qëndrueshëm.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme