Nisin inspektimet në Kozhle të Novi Pazarit, dyshohet për varrezë masive

Anëtarë të Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë ligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore sot kanë bërë inspektime në terren në fshatin Kozhle, pranë Novi Pazarit, ku dyshohet për varr masiv. Inspektimet kanë për qëllim vlerësimin e një lokacioni të dyshuar, mbi mundësinë e pranisë së një varri masiv në atë zonë.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qendror për Personat e Zhdukur tha se ky lokacion duhet të trajtohet me prioritet përfshirë edhe atë në Batajnicë e lokacione të tjera.
Me qëllim të saktësimit të lokacionit të varrit masiv, Gara insiston që gërmimet në këto lokacione të shoqërohen edhe me informata nga arkivat e institucioneve serbe.
“Lokacioni në Kozhle mbetet një nga rastet që duhet trajtuar me prioritet krahas kërkesave për një sërë rastesh në lokacione të tjera në territorin e Serbisë në mënyrë të veçantë përfshirë lokacionin në Batajnicë dhe lokacione tanimë të shënjuara…gërmimet në këto lokacione pashmangshëm duhet të shoqërohen dhe kjo është kërkesë e jona e vazhdueshme dhe duhet të shoqërohen edhe me informatat dhe të dhënat nga arkivat e institucioneve të Serbisë mbi bazën e të cilave do të mund të menaxhonim më mirë këtë proces vlerësimi, në kuptim edhe të saktësimit të lokacionit të varrit masiv për të evituar edhe përvojat jo të mira”, theksoi ai.
Për KosovaPress, Gara tregoi që lokacioni në fshatin Kozhle ku tashmë po bëhen vlerësime ndodhet afër një deponie të mbeturinave.
Sipas tij kjo e rëndon edhe më tepër situatën, sidomos për familjarët e viktimave.
“Lokacioni ku po bëhen vlerësimet gjendet afër zonës së deponisë së mbeturinave që në këtë rast e bënë edhe më të rëndë për familjet e viktimave cenon edhe integritetin e viktimave”, deklaroi ai.
I pranishëm në këto inspektime ishte edhe eksperti mjeko-ligjor nga Instituti I Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni i cili shprehu gatishmërinë e këtij institucioni për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Sot veç kanë filluar punimet në lokacionin e Kozhles, ne si Institut i Mjekësisë Ligjore kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar deri në ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur. Iu siguroj që do të jetë ekipa e ekspertëve mjeko-ligjorë prezentë gjatë gjithë kohës në këtë lokacion dhe do të përcjellim nga afër punimet ku shpresojmë që do të hasim në mbetje mortore të personave të zhdukur”, tha ai.
Aktualisht, trupat e rreth 1600 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia.
Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.










































