Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU” po zhvillohet në Prishtinë nga data 22 deri më 27 nëntor.

Festivali, tashmë i konsoliduar si një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në hapësirën shqiptare, mbledh në një skenë të vetme trupa dhe artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.


Ky edicion sjell një program të pasur artistik, ku prezantohen shfaqje, interpretime dhe krijime që reflektojnë nivel të lartë profesionalizmi dhe thellim të bashkëpunimit kulturor ndërmjet teatrove shqiptare, përcjell Telegrafi.

Organizatorët theksojnë se “MOISIU” synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për shkëmbim artistik, zhvillim të praktikave teatrale dhe ngritje të standardeve në skenën kombëtare.

Teatri Kombëtar ka ftuar mediat që të ndjekin nga afër aktivitetet e festivalit, përfshirë shfaqjet, panelet, takimet me artistë dhe të gjitha ngjarjet shoqëruese, duke vlerësuar se prezenca e tyre është thelbësore për promovimin e artit dhe kulturës në vend.

Përveç programit zyrtar, organizatorët njoftojnë se çdo ditë nga ora 12:00, në bifenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, do të mbahen diskutime dhe kritika teatrore mbi shfaqjet konkurruese të edicionit të tretë të Festivalit “MOISIU”. /Telegrafi/